Kur duhet edhe një javë nga fillimi i kampionatit, Vllaznia nuk po bind, për të qenë totalisht e gatshme për ndeshjen e parë kundër Besës. Megjithatë, përsëri drejtuesit e klubit besojnë se edhe kështu ekipi mund t’ia dalë, pavarësisht se grupi ka pësuar mjaft ndryshime nga sezoni i kaluar, kur kuqeblutë u renditën të dytët në kampionat. Sipas sekretarit të klubit dhe një ndër specialistët më në zë të Shkodrës, Agim Medja, kjo skuadër ka mundësi për të qenë pretendente. “Është tërësisht e vërtetë që paraqitjet e para të këtij ekipi nuk kanë qenë aspak pozitive. Flas gjithmonë për pragfillimin e sezonit dhe konkretisht nisur nga takimi miqësor me Laçin. Unë mendoj se Vllaznia e sivjetshme nuk është ajo që pamë me Laçin. Në këtë ekip, pavarësisht se ka shumë lëvizje nga një sezon më parë, përsëri do të thosha që baza ka mbetur. E keqja është se i duhet edhe pak kohë për t’u konsoliduar”, - thotë numri dy i klubit, në një bisedë për “Panorama Sport”. Specialisti shkodran është ndoshta nga më optimistët në kampin kuqeblu, ndërkohë që duhet thënë se trajneri Hasan Lika ka mbetur tërësisht i pakënaqur nga gjendja e ekipit pas ndeshjeve të Ligës së Evropës.
Grupi
Më tej, Medja analizon grupin aktual të kuqebluve, të drejtuar nga Hasan Lika. Ai flet me superlativa për repartin e mbrojtjes dhe atë të mesfushës, ndërkohë që beson te dyshja e sulmit, Sinani- Bala. Gjithsesi, Medja është i bindur se nga dita në ditë ky ekip do të rritet. “Në skuadër ka një bërthamë, në të tria repartet. Në mbrojtje, të kesh Beqirin, Mrvalejviçin, Smajlin, Hallaçin, Doçin dhe Rajoviçin, mendoj se nuk është pak. Po ashtu, edhe në mesin e fushës, do ta filloja që nga Osja, Nallbani, Alikaj, Shtubina, e gjithashtu Vojushi, i cili po tregon një lojë mjaft të mirë. Nga ana tjetër, kemi një sulm momental me Sinanin e Balën, të cilët mund të tregojnë shumë bashkë. Pra, ky grup, përveç të tjerave, duhet që në fushë të vërë shpirtin e garës. Një sezon më parë, askush nuk na njohu si pretendent në fillimin e tij, por me kalimin e javëve dhe me rritjen e nivelit të lojës dhe për më tepër, shpirtit të garës e kolektivitetit, gjithçka foli ndryshe. Prandaj, unë e theksoj, që të mos e shikojmë Vllazninë si ajo që luajti me Laçin. Ta presim Vllazninë edhe se çfarë do të tregojë nesër (sot) ndaj Kastriotit”, - shprehet shefi i klubit shkodran, i cili ngulmon se humbja e fundit në miqësoren me Laçin nuk është një barometër për kuqeblutë.
Komentet