Nisja e përgatitjeve për sezonin e ri ka sjellë edhe një problem tjetër te Vllaznia. Njëri prej lojtarëve stabël të sezonit të kaluar, pikërisht kroati Marko Bashiç mund të konsiderohet i larguari i radhës nga skuadra shkodrane. Kjo ende nuk është zyrtarizuar, por kroati dje nuk ka qenë në stërvitje me ekipin. Në të vërtetë ka ditë që përflitet për këtë gjë, por mbarimi i aventurës europiane të kuqebluve e ka nxjerrë në sipërfaqe këtë problem.
Bashiç në fundin e sezonit nuk ka treguar një formë të mirë sportive dhe për rrjedhojë edhe në katër ndeshjet europiane nuk ka qenë në formacion. Duke qenë kështu, drejtuesit e klubit kanë menduar ta largojnë atë. Edhe vetë lojtari ishte shprehur i pakënaqur me qëndrimin në stol. Duke qenë kështu, duket se mes dy palëve ka ardhur koha për divorc. Për Bashiç thuhet se është i interesuar ekipi i Flamurtarit.