Mesfushori tiranas, Enkel Alikaj, është prezantuar dje zyrtarisht si lojtari i ri i Vllaznisë, teksa zhvilloi edhe stërvitjen e parë me kuqeblutë. I qetë dhe mjaft i komunikueshëm, 28-vjeçari, që ka provuar të luajë për disa skuadra elitare në Shqipëri, është shoqëruar nga Amarildo Belisha, të cilin e ka mikun më të ngushtë te Vllaznia, por edhe kolegun, në repartin e mesfushës. “Të jesh pjesë e një ekipi si Vllaznia, është një kënaqësi për çdo lojtar. Unë mendoj që së bashku me grupin, do të synojmë titullin kampion. Kjo është edhe një prej arsyeve që unë kam zgjedhur për të luajtur me Vllazninë në këtë sezon”, është shprehur fillimisht mesfushori.
Vlerësimi
Në prezantimin e tij të parë për mediat në Shkodër, Enkel Alikaj, përveç arsyes që ka të bëjë me titullin kampion, nuk e ka fshehur edhe shkakun kryesor që e solli në gjirin e ekipit kuqeblu. Ai ka pranuar, se pavarësisht ofertave, ajo që i ka bërë presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, është vlerësuar më shumë, duke i mbushur përfundimisht mendjen. “Vlerat e këtij klubi dihen prej të gjithëve dhe nuk më mbetet mua për t’i shprehur ato. Duke shikuar këtu dhe ambiciet e presidentit Fushaj dhe natyrisht mbështetjes së tifozerisë shkodrane, mendoj se më kanë bindur mua që të vesh fanellën e Vllaznisë. E theksoj edhe një herë se është një kënaqësi që jam pjesë e këtij ekipi. Pa diskutim, personalisht kërkoj të jem me Vllazninë në majat e futbollit shqiptar. Këto ambicie të mia kërkoj që të shkojnë në funksion të objektivave që ka ekipi. Me investimet që janë bërë dhe pritet të bëhen, shpresoj se skuadra do të marrë formatin e plotë për të kërkuar titullin kampion. Megjithatë, ajo që më takon mua, është që së pari të arrij të bëj më të mirën këtu”, ka vazhduar Alikaj.
Pozicioni
Njihet më shumë si një lojtar organizator, por në ekipet ku ka luajtur (Dinamo, Partizani, Besa, Teuta) shpesh është pozicionuar edhe në krahun e majtë. Mëngjerashi tiranas, që është bërë i njohur te Dinamo, kërkon të bëjë në Shkodër rolin e organizatorit të mirëfilltë. Megjithatë, ai është i ndërgjegjshëm, kur thekson se do të respektojë çdo vendim të trajnerit Hasan Lika. “Mesfusha është reparti ku unë luaj dhe kjo dihet. Megjithatë, do të jetë trajneri, ai që do të vendosë për pozicionin e mirëfilltë. Unë di të them se do të zbatoj me përpikëmri të gjithë detyrat, sepse kjo është puna ime. E rëndësishme është që unë t’i shërbej në maksimum Vllaznisë”, përfundoi ai.
panorama
Komentet