Kreu i klubit shkodran, Valter Fushaj, pavarësisht zhgënjimit që i kanë lënë dy përballjet me Rapidin e Vjenës, ndihet krenar që Vllaznia është i vetmi ekip shqiptar që ka mundur të kalojë një tur në Kupat e Evropës. Në një intervistë ekskluzive për \"Panorama Sport\", presidenti Fushaj komenton paraqitjen e kuqebluve në Ligën e Evropës, largimet nga ekipi, merkaton, por jo vetëm. Në një kohë që konfirmon largimin e Beqirit, Fushaj mohon çdo lëvizje të Sinanit dhe Grimës, edhe pse bën të ditur se dy të fundit do të gjobiten për shkak të veprimeve që kanë bërë në ndeshjet me Sligo Rovers. Për sezonin e ardhshëm, numri një i klubit kuqeblu premton një ekip për titull dhe blerjen e disa lojtarëve cilësorë. Gjithashtu, në këtë intervistë ai nuk ngurron të bëjë edhe batuta në lidhje me kërkesën e trajnerit Hasan Lika, për të përforcuar skuadrën. Për më tej, ja si u shpreh ai:
Zoti Fushaj, Vllaznia kaloi një tur në Ligën e Evropës, e më pas zhgënjeu në raundin e dytë. Si e shpjegoni këtë dështim të radhës me humbje të thella?
Më duhet të them se në dy ndeshjet me Rapidin e Vjenës ndikuan mungesat tona, kjo për shkak të kartonëve dhe dëmtimeve që pësuan lojtarët kryesorë. Të mungojnë minimumi katër lojtarë në ndeshjen e Ligës së Evropës, besoj se nuk është pak për një ekip si Vllaznia, e aq më tepër kur përballë ke Rapidin e fortë. Duke pasur parasysh lojën që kemi zhvilluar, mendoj se humbjet e thella me austriakët nuk ishin aq të vërteta. Gjithsesi, unë do ta quajë të suksesshëm ballafaqim në Evropë për këtë vit, përderisa Vllaznia e kaloi me sukses turin e parë. Në fund të fundit, jemi e vetmja skuadër në Shqipëri që kemi kaluar turin e parë.
Ndiheni krenar për këtë arritje?
Natyrisht që ndihem krenar, sepse është viti i tretë radhazi që Vllaznia kalon turin e parë në Kupat e Evropës. Mendoj se nuk është pak për një ekip shqiptar, por madje një arritje e madhe. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në Shqipëri ka shumë probleme, qoftë në infrastrukturën sportive, në buxhetin e klubeve, përkushtimin e shtetit apo Federatës së Futbollit etj. Duke e parë në këtë prizëm, mendoj se Vllaznia përsëri po vazhdon të konkurrojë në Evropë maksimalisht. Dikujt mund t\'i duket çudi, por po ju them që nuk është pak, që ne të konkurrojmë një ekip irlandez, qoftë edhe Sligo Rovers.
Kishte ndonjë gjë më shumë se Vllaznia ekipi irlandez?
Patjetër. Klubi i Sligos që ne eliminuam, ka një buxhet vjetor prej 6 milionë e gjysmë eurosh. Këtu është edhe diferenca, sepse klubi ynë e ka 700 mijë euro.
Sipas jush, mundësitë e një ekipi shqiptar për të kaluar edhe turin e dytë, janë thuajse zero?
Për mendimin tim, në radhë të parë duhet një forcë e madhe në rregullimin e ligjeve të shtetit për sportin dhe bashkive përkatëse. Duhet një përkushtim shumë i madh për sportin nga shteti, që klubet shqiptare të arrijnë suksese edhe në Evropë. Pra, duhet shumë punë për të kaluar edhe turin e dytë.
Pas ndeshjeve të Ligës së Evropës, flitet për largimin e disa lojtarëve nga Vllaznia, teksa i pari është mbrojtësi Elvin Beqiri. Cili është sqarimi juaj për këtë çështje?
Tashmë dihet që Beqiri është lojtar i Kombëtares dhe marrëveshjen me klubin tonë e ka pasur që, në rast se do të kishte interes konkret nga klube të huaja, atëherë do të largohej. Këtu bëhet fjalë, gjithnjë për rastet kur oferta është interesante dhe në interesin e përbashkët të lojtarit dhe Vllaznisë.
Mos ndoshta pas Beqirit është radha e Shtubinës për t\'u larguar?
Në lidhje me largimin e mundshëm të Shtubinës, aktualisht mund të them se gjithçka është në pikëpyetje. Të shikojmë në ditët në vijim, se çfarë mund të bëhet.
Cilat janë raportet tuaja me kapitenin Sinani dhe portierin Grima dhe a ekziston një çështje për ta në klub?
Janë krejtësisht normale dhe unë di të them që Grima me Sinanin janë nën kontratë me Vllazninë. Çdo fjalë që del për largimin e tyre nuk është e vërtetë. E përjashtoj mundësinë që ata të lëvizin dhe mund të them se ata do të jenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm.
Çfarë shije ju ka lënë pezullimi i tyre dhe a do të ketë masa n d ë s h k u e s e për dy \"veteranët\"?
Për sa i përket kartonëve që lojtarët morën në ndeshjet me Sligon, klubi do të marrë një masë ndëshkuese, që konsiston më gjobë. Lojtarëve kjo u është bërë e ditur dhe mendoj se është normale. Nga ana tjetër, besoj se edhe ata janë të vetëdijshëm për veprimin që kanë bërë. Nuk është se do të jetë një gjobë shumë e madhe, e cila do të ndikojë në kontratën e tyre. Mund të them se është një gjobë, e cila më shumë paralajmëron Sinanin e Grimën, që këtë veprim të mos e përsërisin më. Duhet të dimë se që të dy kanë bërë nga një gabim, që ne si drejtues nuk e kemi konsideruar si të qëllimtë, por që gjithsesi kjo ishte një masë që duhej marrë.
Të kalojmë te merkatoja e Vllaznisë. Trajneri Lika ka thënë se duhen patjetër përforcime...
Trajnerit Hasan Lika do t\'i sjell aq shumë lojtarë, sa nuk ka për të qenë i zoti t\'i seleksionojë. Gjithçka do ta mësoni në ditët në vazhdim, por unë di të them se kemi punuar shumë për të sjellë në skuadër lojtarë cilësorë. Emrat e tyre do të bëhen të ditur së shpejti dhe unë jam i bindur se do të kemi një kontingjent optimal për kampionatin e ardhshëm.
Mund të na përmendni ndonjë emër?
Do të flas hapur pikërisht në atë moment, kur dhe do të firmos kontratën me ata lojtarë që kemi si synim për t\'i afruar në ekip.
Dy lojtarët brazilianë që u afruan me bujë te Vllaznia, do të qëndrojnë apo jo?
Ata nuk do të jenë pjesë e Vllaznisë. Arsyeja është se nuk e kanë bindur trajnerin Lika, kështu që nuk ka arsye të qëndrojnë.
Së fundmi, çfarë ekipi do të shikojnë në sezonin e ardhshëm tifozët shkodranë?
Unë si president klubi, në radhë të parë besoj te vlerat e trajnerit Hasan Lika dhe stafit që drejton Vllazninë. Gjithashtu, personalisht jam shumë i përkushtuar për të bërë maksimumin për skuadrën, në mënyrë që tifozët të shikojnë një Vllazni mjaft kompetitive në të dyja frontet. Ndaj i garantoj tifozët se ekipit do t\'i bashkohen shumë lojtarë cilësorë dhe ne do të jemi protagonistë në çdo moment të kampionatit. Natyrisht që do të synojmë fitimin e titullit kampion. Mendoj se Vllaznia nuk e ka problem kapjen e një vendi që të çon në Kupat e Evropës. Kjo besoj se është diçka e zgjidhur, por natyrisht edhe kalimi i turit të parë.