Edhe pse që pas ndeshjes me Rapidin Vllaznia është lënë pushim, afati i së cilës është deri ditën e enjte, një pushim i tillë është vetëm për futbollistët, pasi për drejtuesit e skuadrës dhe së bashku me ta edhe të bordit drejtues të klubit Vllaznia, kjo periudhë jo vetrëm që është punë intensive, por e thënë më drejtpërdrejtë janë ditët më aktive të tyre në drejtim të merkatos së verës. Këtë e bën të ditur drejtori i klubit Vllaznia, Kujtim Shaba, i cili edhe vetë është pjesë e këtyre strukturave drejtuese, duke dhënë kontributin e tij në rritjen dhe zhvillimin e futbollit shkodran. Gjatë bisedës me të mësojmë për shumë gjëra të brendshme të funksionimit të klubit kuqeblu, si edhe për largimet e mundshme nga gjiri i Vllaznisë, por edhe për afrimet e titullarëve të tjerë me po aq peshë, që do të zëvendësojnë të larguarit. Mësojmë për preokopimin maksimal që është duke treguar presidenti Valter Fushaj, i cili sipas Shabës e ka shpallur këtë javë si vendosëse, për të plotësuar skuadrën me elementë sa më cilësorë. Sipas tij, deri në përfundim tëditëve të korrikut, në skuadër pritet të vijnë tre-katër futbollistë cilësorë, të cilët do të plotësojnë kërkesat e tekniut Lika për harmonizimin e formacionit të parë. Flitet për një klub serioz, me plane afatgjata dhe në këtë këndvështrim futet edhe puna shumë e mirë dhe vemendja e madhe që po i tregohet elementit të ri të perspektivës, shenjat e para të të cilëve u dukën që në ndeshjet e Ligës Europiane, pasi edhe tekniku Lika u besoi formacionin e parë. Duke folur për largimet e mundshme, Shaba, pikësëpari ndalet tek titullari Elvin Beqiri, për të cilin deklaron se është i vetmi futbollist deri tani që ka hedhur një hap përpara drejt largimit të tij nga Vllaznia. Sipas drejtorit, kontrata e Beqirit ka qënë e përpiluar në atë mënyrë, që pas një oferte serioze nga jashtë vendit, ai mund ta ndërpriste atë meVllazninë. Kështu, pasi oferta e skuadrës franceze Bulonjë u vlerësua si shumë pozitive, presidenti Fushaj i ka dhënë miratimin qendërmbrojësit, që të avanacojë në këtë drejtim. Beqiri ndodhet prej dy ditësh në Francë, së bashku memenaxherin e tij rus, në pritje të bisedës përfundimtare me presidentin e Bulonjës, nga ku pritet të vendoset edhe fati i tij i mëtejshëm. Shaba pranon se në drejtim të Beqirit ka pasur edhe oferta të tjera mjaft serioze, sidomos nga Gjermania, por sipas tij, ishte preference e vetë Beqirit të zgjidhte pistën franceze. Por bëhet e ditur, mundësi për t’u larguar nga Vllaznia kanë edhe futbollistë të tillë si kosovari Nallbani, mesfushori sulmues Ndriçim Shtubina dhe së fundmi edhe i riu i talentuar Bekim Balaj, i cili ishte titullar në majë të sulmit shkodran në dy ndeshjet e fundit përballë Rapidit, fillimisht në Vienë dhe më pas në “Loro Boriçi”. Treshja e fundit është tërësisht në vemendje të specialistëve dhe menaxherëve turq, të cilët kanë hedhur hapat e parë në kërkim të tyre dhe pritet nga dita në ditë të bëhen më aktivë. Ndonëse për Nallbanin dhe Shtubinën është folur shumë më përpara, duket se më përpara tyre pritet të lëvizë i riu Balaj. Drejtori i kuqebluve Kujtim Shaba bën të ditur, se futbollisti i dalë nga Akademia e Futbollit Vllaznia ka shumë mundësi që nesër, ditën e martë të largohet nga shkuadra, duke udhëtuar drejt Turqisë, ku është planifikuar të zhvillojë një cikël stervitor pranë një klubi të kategorisë së dytë të futbollit turk, në tentativë për të marrë një OK nga drejtuesit e atjeshëm, në mënyrë që të bëhet më pas zyrtare firmosja dhe qëndrimi i tij në Turqi.