Pasi i kanë dhënë fund pjesëmarrjes në Ligën e Evropës, tani drejtuesit e klubit kanë filluar të mendojnë seriozisht për sezonin e ri. Ndonëse arritën ta kalonin turin e parë me shumë meritë, i dyti nuk pati histori, kjo për shkak të mungesave të mjaft elementëve. Kur duhen më pak se 30 ditë nga fillimi i edicionit të ri sportiv, Vllaznia nuk ka ende një format për të qenë aty ku ajo pretendon realisht. Ai që po e ndjen më shumë se kushdo tjetër ‘heshtjen’ e merkatos është padyshim trajneri i saj, Hasan Lika. I ndodhur në këtë situatë, kreu i pankinës kuqeblu nuk ka hezituar t’i bëjë thirrje presidentit Fushaj që të afrojë në skuadër edhe lojtarë të tjerë. “Vllaznia ka shumë nevojë për elementë cilësorë në përbërjen e saj. Ajo është një skuadër që pretendon për trofe në çdo sezon dhe për këtë duhet patjetër të afrojë lojtarët e duhur. Nuk mund të them se elementi i ri nuk do të jetë pranë ekipit, pasi ai do të kryejë punën e tij, por nëse të gjithë kërkojmë të arrijmë objektivat që ka ky klub, atëherë duhet të forcohemi”, deklaroi Lika.
Largimet
Edhe pse ka qenë vetë trajneri Lika ai që ka pranuar se duhet pritur deri më 31 gusht, tani për atë vetë dhe ekipin që drejton duket se punët nuk po shkojnë ashtu siç duhet. Paralajmërimi i fundit i titullarëve, si Nallbani, Shtubina, Sinani apo Grima për një “divorc” të mundshëm nga skuadra mund ta thellojnë më tepër krizën në kampin kuqeblu. Tekniku Lika është i bindur se me këtë kontigjent, kjo skuadër nuk premton shumë për sezonin e ri. “Ky kontigjent lojtarësh nuk të garanton asgjë”, ka qenë alarmi i radhës i dhënë nga Lika. Ai kërkon me ngulm nga drejtuesit e klubit që të mos humbin shumë kohë në merkato.
Afrimet
Pavarësisht premtimeve të Fushajt se Vllaznia këtë vit do të zbresë më e fortë se një vit më parë, shifrat flasin ndryshe. Deri tani në radhët e saj janë afruar pak emra, por dhe ata lënë për të dëshiruar me lojën e tyre në fushën e blertë. “Do të flasim me presidentin për afrimet që duhen. Do të diskutojmë dhe për strategjinë që duhet të ndjekim, si dhe për objektivat e ekipit për sezonin e ri. Ajo që vlen të theksohet është se kemi shumë nevojë për lojtarë cilësorë, në mënyrë që të jemi pretendentë këtë sezon”, përfundon tekniku i Vllaznisë, Hasan Lika.
Kuqeblutë
Deri tani ka shumë emra që fliten për t’u larguar nga ekipi shkodran dhe të paktë janë ata që pritet të afrohen. Mungesa e Beqirit, Nallbanit, Shtubinës, Grimës dhe Sinanit do të ndikojë mjaft në ecurinë e skuadrës për sezonin e ri. Megjithatë nga burime pranë klubit kuqeblu mësohet se kanë filluar lëvizjet e para për të gjetur lojtarët e ri. Në fokusin e kuqebluve mësohet të jenë vetëm futbollistë nga kampionati shqiptar. Deri tani nuk bëhet i ditur asnjë emër konkret.
panorama
Komentet