Kuqeblutë janë mundur 5-0 nga ekipi i Rapidit të Vjenës në takimin e parë të turit të dytë të Ligës së Evropës. Një humbje kjo, që i jep fund ëndrrës shkodrane për të vazhduar më tej në këtë kompeticion. Një humbje, që për nga shifrat, ka qenë shokuese për vetë rrjedhën që mori takimi. Deri afër minutës së 70-të të ndeshjes, shkodranët ishin në disavantazh të një goli, por gjithçka është përmbysur pas kësaj minute me shumë shpejtësi në disfavorin e kuqebluve. Një nga mbrojtësit shkodranë dhe anëtar i ekipit tonë përfaqësues, Elvin Beqiri, i cili së bashku me anëtarët e tjerë të repartit të mbrojtjes besonin se këtë herë nuk do të kishin të njëjtin fat si në takimet e tjera të Kupave të Evropës në dy sezonet e mëparshme, u shpreh se ekipi i Rapidit ka rezultuar si një “kafshatë e madhe” për shkodranët. “E dinim mirë se nuk do ta kishim të lehtë për t’u përballur me një nga skuadrat më të mira të kampionatit austriak. Rapidi i tregoi në lojë vlerat e tij. Ai ishte më shumë se një ‘kafshatë e madhe’, për ekipin tonë. Në fakt, ne ishim përgatitur për një takim të tillë, por jo për një rezultat të tillë, por forca e një ekipi si Rapidi u vu re pikërisht në momentet kur ne po fillonim të besonim se mund të merrnim një rezultat premtues për ndeshjen e dytë”, thotë Beqiri.
Loja Ajo që ka lënë shumë për të dëshiruar ka qenë loja e kuqebluve, e cila e kushtëzuar edhe nga mungesat besonte më shumë te mospësimi i golit se sa te shënimi. Madje, mund të thuhet pa frikë se portieri vendës ka qenë në rolin e një sportdashësi. Nisur nga kjo, pesha më e rëndë i ka rënë pikërisht mbrojtjes. “Ne kishim si synim që të mbroheshim fort. Këtë mendoj se e realizuam mjaft mirë deri para pësimit të golit të dytë. Pastaj gjithçka për ne është bërë shumë e vështirë. Presioni sa vinte e rritej dhe kundërshtari nuk gjente më atë rezistencë të shumë minutave”, shprehet mbrojtësi shkodran.
Takimi i kthimit Pavarësisht se një rezultat i tillë nuk ka lënë më shanse për kualifikim, shkodranët përballë një emri si Rapidi do të kërkojnë që të paktën në Shkodër të arrijnë një rezultat pozitiv. “Nuk kemi se çfarë të themi përsa i përket kualifikimit, pasi gjithçka është e mbyllur, por të paktën të arrijmë një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë, për të pasur se çfarë të themi në të ardhmen. E thashë edhe më parë se, ne e dinim që përballë kishim një ekip shumë të fortë dhe ky tur do të ishte shumë i vështirë për t’u kaluare”, përfundon deklaratën e tij mbrojtësi kuqeblu, Elvin Beqiri.
panorama