Pas paraqitjes në Vjenë është kuptuar nevoja e ndërhyrjes për afrimin e lojtarëve të tjerë
Paraqitja e fundit në Vjenë ka rihapur temën e merkatos sërish te Vllaznia. Skuadra ka nevojë për forcime dhe këtë fakt nuk e mohon askush. Një gjë e tillë duket e domosdoshme jo për ndeshjen e kthimit ndaj Rapidit, por për sezonin e ardhshëm futbollistik. Drejtuesit kuqeblu duket se kanë filluar të mendojnë për këtë gjë. Ende nuk ka një prononcim zyrtar në lidhje me këtë çështje, por thuhet se presidenti Fushaj ka ndër mend të hyjë seriozisht në merkato.
Domosdoshmërinë për këtë proces e ka pranuar pas ndeshjes të së enjtes në “Gerard Hanappi” edhe vetë trajneri Hasan Lika, i cili është shprehur: “Natyrshëm që kualifikimi për në turin e tretë të Ligës Europiane thuajse është i pamundur për ne dhe prandaj duhet të fillojmë të mendojmë për sezonin e ardhshëm të futbollit shqiptar. Skuadra ka nevojë për forcime dhe gjatë gjatë kësaj periudhe nuk është se e kemi lënë pas dore një gjë të tillë, por e përsëris, që është domosdoshmëri.” Në ndeshjen e fundit, e cila u humb thellësisht 5 0 ndaj Rapidit, në fushë ishin dy 18-vjeçarë, Bala e Nika.
Ata vërtetë janë me perspektivë, por kampionatin nuk mund ta përballosh dot me ata, pasi i kanë shpatullat e njoma për ta bërë këtë gjë. Rrjedhimisht, duhen lojtarë me përvojë dhe këtë e kanë të qartë drejtuesit shkodranë. Bëhet e ditur se me t’u kthyer nga Austria, drejtuesit e Vllaznisë kanë filluar të merren me këtë çështje. Nevojat kryesore që ka skuadra tashmë janë përcaktuar. Duhet medoemos një sulmues tjetër, një mesfushor i djathtë dhe një I majtë. Për pozicionin e mesfushorit të majtë, për momentin aty luan Shtubina, që mund të largohet nga skuadra dhe prandaj duhet gjetur një zëvendësues.
Sa për sulmin, janë disa alternativa, teksa në provë është braziliani De Oliveira, që ka pak ditë në Shkodër, por ende nuk është parë mirë. Përveç tij, mund të vijnë edhe dy futbollistë të tjerë në provë dhe nga tre sulmues, do të përzgjidhet njëri, i cili të do bëhet pjesë e skuadrës në prag të nisjes së kampionatit të ri shqiptar. Në ditët në vijim kësisoj pritet të ketë një ndërhyrje serioze të Vllaznisë në merkato.
Ajo do të ketë pretendime maksimale për sezonin e ardhshëm dhe për të ndodhur kështu, natyrisht që duhen lojtarë. Përvoja europiane e vërtetoi më së miri këtë gjë dhe nëse është kaluar turi i parë, ky është vërtetë një sukses i madh për të. Lëvizjet e shumta të lojtarëve në skuadrat tona nga një sezon në tjetrin si pasojë e kontratave njëvjeçare të tyre reflektohet pikërisht në përbërjet krejt ndryshe të ekipeve tona vetëm pak kohë pas mbylljes së një sezoni.
Që do të thotë se Vllaznia e ndeshjes së fundit me Rapidin, ka ngjasuar shumë pak me atë që mbylli sezonin e shkuar në javën e fundit ndaj Tiranës, ku u shpall nënkampione e vendit. Për të qenë sërish pretendentë, për të pasur sërish një ekip kompakt që mund të luajë denjësisht deri në javën, duhen një organikë me më shumë lojtarë, madje duhen lojtarë cilësorë që të bëjnë diferencat, sepse Vllaznisë asnjëherë nuk i kanë munguar talentët e saj. Në ditët në vijim do të mësohet më gjerë në lëvizjet në merkaton kuqeblu, tashmë një domosdoshmëri
sporti shqiptar
Komentet