Një nga premtimet e drejtuesve të Vllaznisë për të përforcuar skuadrën në prag të ndeshjeve të turit të dytë të Ligës Europiane po bëhet realitet. Dje në drekë ka mbërritur në Rinas sulmuesi brazilian Luis Gustovo De Oliveira. Ai është pritur në aeoroport nga Agron Isufi, përfaqësues i klubit “Vllaznia”, dhe më pas ka marrë rrugën drejt Shkodrës. Nga të dhënat e para që mësohen në lidhje me këtë lojtar, bëhet e ditur se ai është i ri në moshë, i datëlindjes 24.10.1989, pra ende pa i mbushur të 20‑at. Konsiderohet futbollist me shumë perspektivë, me të dhëna të mira, që vjen në Europë për t’u promovuar. Në fakt, emri që është përfolur prej ditësh për të ardhur te Vllaznia ka qenë ai i sulmuesit tjetër, Keandro dos Santos. Menaxheri që ua ka sugjeruar shkodranëve, ka bërë të ditur se për kërkesat e tyre më i pranueshëm do të ishte De Oliveira. Me një fizik shumë të pëlqyeshëm dhe me një talent për t’u pasur zili (të dhënat e marra për të kështu flasin), drejtuesit e Vllaznisë mendojnë të kenë gjetur lojtarin e duhur për repartin e sulmit. Vetë lojtari i sapoardhur ka bërë të ditur se ka qenë pjesë e ekipit Barueri në kampionatin e Sao Paulos në Brazil.

Presidenti Fushaj ka thënë dje se, me përjashtim të këtij lojtari, nuk do ketë ndonjë përforcim tjetër për skuadrën në prag të ndeshjeve me Rapidin. Ai kishte deklaruar të enjten, pas ndeshjes me Sligo Roversin, se do të shikonte mundësinë për të marrë ndonjë lojtar tjetër, qoftë si blerje, por edhe si huazim. Për këta të fundit nuk është bërë asgjë, ndërsa blerja është bërë realitet. Braziliani nuk vjen për provë, por pritet të firmosë menjëherë.

Sporti Shqiptar