Trajneri i Vllaznisë kërkon patjetër që të tijtë të shënojnë të paktën një gol
Mungon Sinani, braziliani De Oliveira me shumë mundësi nuk do jetë i gatshëm të luajë për këtë ndeshje, megjithatë Vllaznia do të kërkojë gol në Vjenë. E thotë këtë vetë trajneri i kësaj skuadre, Hasan Lika. I pyetur nëse do të jetë e vështirë për të luajtur në pozita të tilla, kur mungojnë lojtarët cilësorë, sidomos në repartin e sulmit, ai është përgjigjur: “Kush tha që nuk kemi sulmues? Vërtet mungon Sinani, por skuadra ka sulmues. Koncepti im është që në manovrën sulmuese të skuadrës duhet të marrin pjesë të gjithë futbollistët dhe kuptohet që i rëndësishëm është destinacioni i fundit, dikush që ta dërgojë topin në rrjetë. Vërtet trajneri Pacult na ka ndjekur dhe e di se si luajmë, por në ndeshjen që ai na ka parë ndaj Sligos, ne kemi shënuar.
Kemi pasur edhe raste të tjera shënimi dhe shpresojmë t’i kemi edhe në Austri.” Në fakt, problemet te Vllaznia duken shumë të mëdha. Mungojnë Sinani e Grima, ndërkohë që Beqiri, Shtubina e Osja kanë pasur probleme me dëmtimet. Duke qenë kështu, nuk do të jetë aspak e lehtë për të ndërtuar formacionin që do dalë në fushë. Kjo do jetë detyra parësore, sepse skuadra aktualisht nuk ka një kontigjent të bollshëm lojtarësh. Përkundrazi, në pankinë të gjithë do të jenë 18-vjeçarë. Ky është realiteti, megjithatë trajneri Hasan Lika nuk kërkon të bëjë aspak pesimistin.
Përkundrazi, duket shumë i motivuar dhe kjo duket edhe në fjalët e tij, kur deklaron: “Vërtet drejtuesit e Rapidit na kanë ndjekur dhe e njohin lojën tonë, por edhe ne kemi bërë diçka në këtë drejtim. Kemi krijuar një ide për mënyrën e tyre si luajnë dhe dua të them se kemi të bëjmë me një ekip që jo vetëm është i përgatitur mirë fizikisht, por edhe di të godasë mirë portën, në ndryshim nga irlandezët e Sligos.
Ne do të marrim masat tona për ta nxjerrë jashtë loje këtë kundërshtar, por se sa do t’ia arrijmë, mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që Vllaznia do të shkojë në Austri për të tentuar marrjen e një rezultati pozitiv.” Një deklaratë vërtet entuziaste. Tani mbetet të shohim se si do të paraqitet skuadra në fushë. Shkodranët në fakt e kanë arritur objektivin e tyre, teksa e kanë kaluar turin e parë.
Pavarësisht kësaj, duan ta bëjnë realitet një ëndërr të kahershme të skuadrave shqiptare, kalimin edhe të turit të dytë. Deri më sot nuk e ka arritur askush, kuqeblutë do ta provojnë këtë gjë. Duket një optimizëm më i madh sesa realiteti, pasi diferencat mes skuadrave janë të dukshme, por në futboll kurrë nuk mund të bëhen prognoza të sakta. Shanset për Vllazninë vërtet janë të pakta, por kuqeblutë do t’i shfrytëzojnë në maksimum ato shanse që kanë. Lika e ka pranuar se skuadra e tij do luajë me shumë kujdes, duke u përpjekur ta godasë në mënyrë të papritur. Ka premtuar edhe gol në Austri, por mbetet për t’u parë nëse do ta realizojë apo jo.
Shkodranët ndjekin në DVD Rapid-Shalke
Paraditen e djeshme, ekipi i Vllaznisë e ka shfrytëzuar për të ndjekur në DVD ndeshjen e fundit të kundërshtarit të saj, Rapidit të Vjenës. Bëhet fjalë për ndeshjen miqësore që skuadra austriake zhvilloi të mërkurën e kaluar ndaj gjermanëve të Shalkes. Ajo ndeshje u fitua nga gjermanët me rezultatin 2‑1, por në fakt austriakët janë paraqitur mjaft mirë në fushën e lojës.
Shkodranët nisen herët drejt Austrisë
Ekipi shkodran ka lënë shumë herët qytetin e tij në mëngjesin e sotëm. Në orën 3:00 autobusi ka lënë Shkodrën dhe është drejtuar për në Rinas. Në orën 5:10, delegacioni i Vllaznisë, i përbërë nga 35 veta, ka marrë rrugën drejt Budapestit. Ka ndodhur kështu, pasi nuk ka pasur linjë direkte për në Vjenë dhe si rrjedhojë është zgjedhur kjo alternativa tjetër. Në kryeqytetin hungarez i ka pritur një autobus, që i ka dërguar në Austri.
sporti shqiptar
Komentet