Pasi kanë kaluar me sukses irlandezët e Sligo Rovers, shkodranët menjëherë, që dje, kanë filluar të mendojnë për austriakët e Rapidit të Vjenës. Si për koincidencë, trajneri aktual i kuqebluve, Hasan lika, është ndeshur me këtë ekip në vitin 2000, kur ka drejtuar Teutën e Durrësit. Mirëpo, që atëherë kanë kaluar jo pak, por 9 vite dhe gjithçka për trajnerin e Vllaznisë tashmë është krejt ndryshe. “Nuk kam se çfarë të them, sepse flitet për një kohë të gjatë. Janë shumë vite dhe gjithçka ka ndryshuar tani. Gjithsesi, unë mund të pohoj se ekipi i Rapidit mbetet i frikshëm për çdo ekip të Evropës dhe jo më për ato të futbollit shqiptar”, ka thënë kreu i pankinës shkodrane në një bisedë për “Panorama Sport”. Këtë herë Lika do të ketë më shumë mundësi për të studiuar Rapidin. “Që sot (dje) presim që të fillojmë të shikojmë me kujdes disa takime të Rapidit në kampionatin e fundit. Në këtë drejtim kemi më shumë mundësi për ta shikuar mirë gjendjen e kundërshtarit dhe pikat e forta të tij. E thashë edhe më parë, kanë kaluar shumë vite dhe nga ai ekip dhe te ky i sotmi gjithçka është ndryshe, prandaj çdo strategji duhet bërë mbi atë skuadër që do të shikojmë dhe jo mbi atë me të cilin unë dhe Teuta është ndeshur”, tregon trajneri Hasan Lika.

 “Ishte një kualifikim mjaft i vështirë për ekipin tonë, pavarësisht se do ta quaja mëse të merituar. Kalimi i këtij turi na dha të drejtën e një rekordi të kualifikimeve evropiane. Pavarësisht se shumëkush mund ta quante një kundërshtar lehtësisht të kalueshëm, përsëri ne të gjithë kemi qenë me këmbë në tokë, gjatë këtyre ditëve. E dinim mirë se kishim të bënim me një ekip të vështirë, i cili e kishte provuar veten edhe në Irlandë.” Kështu është shprehur mesfushori Amarildo Belisha pas takimit me Sligon. Shkodrani ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në fushë për Vllazninë kundër irlandezëve. “Kemi luajtur gjatë gjithë takimit të përqendruar dhe të impenjuar, pavarësisht se lejuam pak më shumë në terrenin e kundërshtarit, në momente të veçanta, por përsëri mund të them se ne kemi bërë një lojë të mira. Kjo, pasi mbi të gjitha kemi administruar rezultatin e takimit të parë të zhvilluar”, shton Belisha për lojën e kuqebluve. Në fund, ai foli për kundërshtarin e radhës, Rapidin. “Para shumë vitesh lojtarët e Vllaznisë janë ndeshur me ekipe austriake si Austria e Vjenës. Mesa di, kanë zhvilluar një futboll shumë dinjitoz dhe kanë fituar 2-0 në ndeshjen e parë. Këtë ndoshta do të kërkojmë ta bëjmë edhe ne, pavarësisht se Rapidi është një kundërshtar shumë i fortë.”

Panorama Sport