Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, ka mbetur i pakënaqur nga paraqitja e skuadrës në miqësoren me Dinamon. “Sigurisht që nuk kam mbetur i kënaqur nga loja, sepse prisja më shumë nga kjo Vllazni. Kemi defekte në fazën mbrojtëse, por edhe sulmi nuk është se funksionoi mirë. Ky është kontigjenti i lojtarëve që kemi në dispozicion dhe duhet t’i përshtatemi”, është shprehur trajneri Lika pas miqësores së djeshme. Ai më pas ka folur për elementin e ri që u aktivizua. “Përsa u takon lojtarëve të rinj, mund të them fjalët më të mira, por duhet të kemi parasysh faktin se ata më me eksperiencë ruajtën edhe një farë energjie, apo forca të freskëta për takimin e së mërkurës, me Sligon. Ndoshta u ruajtëm pak për të mos pësuar dëmtime, kur jemi katër ditë nga kjo ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kemi shumë punë për të bërë në të gjitha drejtimet. Nuk duhet të harrojmë edhe një fakt tjetër, se nga Vllaznia e sezonit të kaluar ka pasur mjaft largime. Lojtarëve të ardhur u duhet pak kohë për t’u ambientuar”, tha ai.
panorama
Komentet