Vllaznia dështon në testin para Evropës. Dinamo fiton me golin e Bakajt

Dinamo është një ters më vete për Vllazninë, e këtë herë edhe në ndeshjet miqësore. Ekipi shkodran ka dështuar në testin e parë në prag të ndeshjes me Sligo Rovers për Ligën e Evropës, duke u mundur nga dinamovitët në “Loro Boriçi”, me rezultatin 1-0, falë golit të Elis Bakajt. Ishte një ndeshje shumë e dobët, sidomos gjatë minutave të para. Të dyja skuadrat dukeshin qartë se kanë ende shumë për të bërë, në rregullimin e lojës së tyre. Blutë e qarkulluan më mirë topin, ndërkohë që ardhjet e reja në skuadër, sigurisht që kanë pasur ndikimin e vet, sidomos në mosfunksionimin siç duhet të manovrës sulmuese. Nga ana tjetër, tek Vllaznia vëreheshin më shumë mangësi. Repartet, në asnjë moment nuk u lidhën me njëri-tjetrin dhe kuptohet që largimet e shumta, por edhe afrimet e pakta, kanë ndikuar te ekipi i drejtuar nga Hasan Lika. Më mirë në vendosje, por edhe në lojën e treguar, ka qenë Dinamo, në një kohë që përballë kishte një Vllazni, e cila ka treguar shumë pak nga vlerat e saj. Minutat e para i kanë takuar më shumë lojës në mesin e fushës, e ndërsa pak është menduar për të goditur në portat respektive, që mbroheshin nga Grima dhe Kotorri. Megjithatë, miqtë në këtë pjesë loje kanë shfrytëzuar në më të mirën e mundshme një dalje pas shpinës të mbrojtjes shkodrane. I shpejti Bakaj ka arritur të shënojë për Dinamon. Ky gol shërbeu si një sinjal për kuqeblutë, të cilët gjallëruan lojën dhe përmes dy gjuajtjeve me kokë të dyshes së mbrojtjes, Mrvaljeviç e Beqiri, arritën t’i afroheshin golit. Ndërsa mesfushori Nallbani ka dhuruar një goditje të bukur, që po me një pritje të tillë i është kundërpërgjigjur Kotorri. Gjithsesi pjesa e parë u mbyll me fitoren e bluve, pavarësisht ngulmimit të shkodranëve për të barazuar. Pjesa e dytë - Ashtu siç pritej, 45 minutat e dyta kanë filluar me shumë zëvendësime nga të dyja krahët. Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, ka lënë jashtë fushe Sinanin dhe në vend të tij ka aktivizuar kosovarin Kasapi. Kjo pjesë loje ka bërë që Lika të aktivizojë edhe shumë të rinj si Hasani, Dibra, Vojushi, Nika apo Tafa. Të njëjtën gjë ka bërë dhe kryepankina e Dinamos, Shkëlqim Muça, i cili ka provuar të gjithë lojtarët që ka pasur në dispozicion. Edhe pjesa e dytë ka qenë më e mirë për dinamovitët. Këta të fundit kanë qenë më kërkues, sidomos me anë të sulmuesit serb Bërkiç. Ndërsa loja shkodrane ka nisur të bëhet më interesante nga paraqitja e mirë e të rinjve, të cilët kanë bindur. Pavarësisht përpjekjeve dhe rasteve të krijuara, e gjithashtu një shtylle të goditur nga Tafa, përsëri rezultati mbeti ai i minutës së 23– të, kur realizoi Bakaj. Si përfundim, kuqeblutë në testin e parë, e të vetëm para takimit me Sligon, nuk kanë arritur të bindin me lojën e tyre, ndërsa Dinamo, që gjithashtu është para ndeshjes me Lahtin, është treguar më e përgatitur.

VLLAZNIA-DINAMO 0-1

VLLAZNIA: Grima, Smajli, Beqiri, Mrvaljeviç, Hallaçi, Osja, Belisha, Nallbani, Shtubina, Bala, Sinani.(U aktivizuan: Kasapi, Bishani, Vojushi, Dibra, Tafa, Nika, Hasani). Trajner: H.Lika

DINAMO: Kotorri, Puticani, Pisha, Diop, Vrapi, Kuli, Poçi, Bakaj, Bërkiç, Haxhibuliç. (U aktivizuan: Hoxha, Sina, Daja, Ferraj e Soza). Trajner: Sh.Muça

SHËNUES: Bakaj 23’ GJYQTARË: P.Lapi, N.Sterkaj, M.Dervishi (Shkodër)

panorama

Komentet