Presidenti garanton se blerjet do bëjnë diferencën

U premton tifozëve se do të shikojnë spektakël me dy brazilianët në fushë, ndërkohë që nga ana tjetër duket i kënaqur që Vllaznia do të luajë me irlandezët e Sligo Rovers në turin e parë të Ligës së Evropës. Presidenti i klubit kuqeblu, Valter Fushaj, në një bisedë për “Panorama Sport” ka zbuluar detaje nga dy blerjet e reja të Vllaznisë, që ai është i bindur se do të bëjnë diferencën. “Me ardhjen e brazilianëve, të cilët vijnë të stërvitur, mendoj se gjithçka mbyllet për sa i takon përforcimeve. Deri më tani, çdo gjë ka qenë konkrete lidhur me kontratat. Duke pasur parasysh menaxherët më të cilët klubi ynë bashkëpunon, unë garantoj se brazilianët janë lojtarë shumë të mirë dhe vijnë te Vllaznia për të bërë diferencën. Kanë luajtur në superligën braziliane dhe jam i bindur që do të dallojnë. Këtë ua premtoj tifozëve shkodranë. Nesër (sot) vijnë dhe do të firmosim kontratat, të cilat do të jenë 2, ose 3-vjeçare. Lojtarët janë pikërisht nga 21 dhe 22 vjeç”, është shprehur i entuziazmuar presidenti Fushaj.

“Shorti është favorizues”

Në lidhje me kundërshtarin e shkodranëve në Ligën e Evropës, numri një i klubit “Vllaznia”, ndër të tjera pohoi se shorti duket favorizues për ekipin e tij. “Nuk kemi njohurinë e duhur për Sligo Rovers, por mendoj se është një short i mirë për ne. Është favorizues si short dhe mesa kam unë informacion, niveli i skuadrave tona me ato irlandeze, nuk është se ka ndonjë diferencë të madhe. Për ne, më tepër është favorizuese që luajmë ndeshjen e parë jashtë fushe. Të paktën, në ballafaqimet tona në Kupat e Evropës në këto dy-tri vitet e fundit, e kemi pasur për shans që ndeshjen e parë ta luajmë në transfertë. Synimi ynë është të kualifikohemi dhe të luajmë me Rapidin e Vjenës në turin e dytë”, pohoi kreu i klubit shkodran.

“Largimet ishin të merituara”

Duke folur për merkaton, presidenti Fushaj u ndal edhe te largimet, që i cilësoi si të merituara, pasi lojtarët nuk dhanë shumë. “Mendoj se ekipi është në rregull dhe nuk besoj se ka ndonjë problem me lojtarët. Ata që janë larguar, nuk kanë qenë nën kontratë dhe konsiderata jonë për ta është se nuk kanë dhënë ndonjë gjë të madhe, në mënyrë që ne mund t’u bënim përsëri një ofertë të mirë për të rinovuar”, ka thënë ai.

panorama