Portieri me eksperiencë Armir Grima thotë se nuk duhet marrë lehtë, edhe pse rivali duket i lehtë
Pas optimizmit të shfaqur ditën e hedhjes së shortit, dje situata ka qenë më ndryshe në kampin shkodran. Askush nuk e kishte më mendjen tek emri i kundërshtarit, por te përgatitja sa më e mirë për ballafaqimet ndaj tij. Irlandezët e Sligo Rovers sigurisht që nuk munden me fjalë dhe këtë pjesëtarët e Vllaznisë e kanë të qartë.
E thotë edhe portieri i saj Armir Grima, kur deklaron: “Të hënën kemi qenë kuriozë të dimë se kush do të ishte kundërshtari ynë, por kur mësuam emrin e ekipit irlandez, sigurisht që aty mbaroi kureshtja. Pavarësisht lajmeve që kanë qarkulluar se kemi të bëjmë me një ekip të vogël, nuk mendoj se do ta kemi të lehtë kualifikimin.
Mjafton të themi se kjo skuadër merr pjesë në kampionatin irlandez, është skuadër britanike dhe mjafton. Futbolli shqiptar dhe Vllaznia në këtë rast, nuk e kanë luksin t’i nënvlerësojnë ekipe të tilla, sepse dihet niveli ynë. Për këtë arsye, duhet të punojmë fort në mënyrë që të përgatitemi siç duhet për këta takime.” Në fakt, “veterani” i portës shkodrane ka të drejtë në mendimin e tij. Sepse shkodranët duhet të jenë shumë të përqendruar në përgatitjet e tyre, sepse duken disi të vonuar në fakt me stërvitjet dhe për më tepër me kompletimin e skuadrës me lojtarë.
Mosardhja e brazilianëve në kohë, ka bërë që kuqeblutë të ndihen jo të plotë dhe mbase prej kësaj edhe shumë mendime në kokën e trajnerit Lika do të ndryshojnë. Portieri Grima gjithsesi nuk e fsheh entuziazmin dhe dëshirën për t’u kualifikuar. “Përveçse do të bëjmë më të mirën tonë, sigurisht që shpresojmë të jenë të vërteta ato probleme të cilat mund t’i ketë kundërshtari. E rëndësishme është të kualifikohemi në turin tjetër dhe për këtë do bëjmë maksimumin tonë,” ‑ ka shtuar ruajtësi i portës shkodrane.
Por ndërkohë nuk do të jetë kaq e lehtë. Irlandezët e Sligo Roversit ndodhen në kampionat dhe forma e lojtarëve është e mirë në këto momente. Krejt ndryshe qëndron puna me shkodranët. Ata kanë nisur dy javë më parë përgatitjet dhe për këtë arsye shumë gjëra nuk janë në vendin e vet. Deri të enjten që vjen, stafi drejtues do të mundohet të bëjë më të mirën për t’i përmirësuar, por mbetet për t’u parë sesa do të realizohen.
Pavarësisht kësaj, një gjë është e sigurt: Vllaznia do të shfrytëzojë edhe kalendarin, edhe tifozërinë e saj për të kaluar në turin tjetër. E thotë këtë vetë Grima: “Për ne është favor që ndeshjen e parë do ta luajmë në transfertë. Në këtë takim do të mundohemi të luajmë me kujdes për të marrë një rezultat sa më të mirë, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit pastaj të shfrytëzojmë edhe tifozët tanë për të synuar kualifikimin. Prania e shumë tifozëve në ndeshjen e dytë, besoj se ka për t’i trembur irlandezët, që besoj se nuk janë mësuar të shohin kaq shumë tifozë në stadium.”
sporti shqiptar
Komentet