“Shansi ynë, ndeshja e parë në fushën e tyre”
Trajner i Vllaznisë, Hasan Lika, ka folur për “Panorama Sport” menjëherë pasi mësoi kundërshtarin për turin e parë të Ligës së Evropës. Lika pranon se nuk ka njohuri për ekipin irlandez, Sligo Rovers, dhe thekson se kushdo që të binte, do të ishte njësoj për Vllazninë. Kreu i pankinës kuqeblu nuk e fshehu se e ëndërron një përballje me austriakët e Rapidit të Vjenës, në turin e dytë.
Zoti Lika, do të përballeni me irlandezët e Sligo Rovers. Sa njohuri keni për këtë ekip?
Për hir të së vërtetës nuk e njoh këtë skuadër, por besoj se gjatë këtyre ditëve do të marrim informacionin e duhur. Personalisht nuk kam pasur ndonjë preferencë për shortin dhe i kam parë njësoj të gjitha ekipet mundshme që mund të na binin. Megjithatë, fakt është që futbolli irlandez është më i përparuar se ai shqiptar. Duke e parë në këtë aspekt, për ne të gjithë kundërshtarët janë të fortë.
Fakti që ndeshjen e parë do ta luani në transfertë, ju bën të favorizuar?
Kjo është pozitive për ne, por e rëndësishme është që të kapim një rezultat të mirë që në ndeshjen e parë, i cili do të jetë shpresëdhënës për takimin e kthimit.
Nëse kualifikoheni, në turin e dytë ju bie të luani me Rapidin e Vjenës, një skuadër e njohur. E ëndërroni këtë përballje?
Është herët të flasim, pavarësisht dëshirës që kemi. Unë shpresoj që të luajmë mirë me Sligon, sepse duke bërë këtë, do të mund të kualifikohemi. Kjo është më e rëndësishmja, por natyrisht që e ëndërroj përballjen me Rapidin.
Vllaznisë pritet t’i bashkohen dy brazilianë. Sa garanci keni marrë, se ata janë vërtetë cilësorë?
Gjendjen e këtyre lojtarëve do ta shikojmë në stërvitje. Unë shpresoj që ata të bëjnë diferencën, edhe pse nuk janë brazilianët e parë që vijnë në Shqipëri.
panorama