Numri një i klubit shkodran Valter Fushaj mendon se turi i parë është i kalueshëm

Sligo Rovers konsiderohet një kundërshtar i pëlqyeshëm në kampin shkodran. Ndokush e kishte menduar shortin më të vështirë, ndokush edhe më të lehtë, por shumica janë të mendimit se irlandezët mund të kalohen. Presidenti Valter Fushaj madje e ka konsideruar fat përballjen me një kundërshtar të tillë, aq më tepër që ndeshja e parë do të luhet në transfertë. Gjatë gjithë ditës së djeshme është pritur me shumë interes në kampin shkodran hedhja e shortit të turit të parë paraeliminator të Ligës Europiane. Secili shfaqte dëshirën e tij për kundërshtarin që do të binte. Kontaktet edhe me Armando Lohjen, të dërguarin e klubit në Nion për hedhjen e shortit, ishin të vazhdueshme. Dreka ndërkohë është pritur me padurim për të mësuar emrin e kundërshtarit.

Kur goglat kanë nxjerrë emrin e Sligo Rovers, në fillim drejtuesit e Vllaznisë janë shtangur, teksa nuk kanë ditur më tepër se çfarë ishte ky kundërshtar. Fakti që ishte i panjohur në arenën ndërkombëtare, e shtonte enigmën, por më pas kur është mësuar se bëhej fjalë për një skuadër të Irlandës, gjërat kanë ndryshuar disi. Më pas kanë nisur hulumtimet në lidhje me historinë, përbërjen dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me këtë ekip.

Skuadra nga Dublini pa ndonjë histori të madhe në Kupat e Europës, nuk është skuadër lidere në kampionatin irlandez. Duke qenë kështu, por nisur edhe nga pozitat e fundit të kësaj skuadre, e cila nuk ka kaluar një moment të mirë, janë favore për shkodranët. Presidenti Fushaj, duke folur në lidhje me këtë kundërshtar, ka thënë: “Jam shumë i kënaqur me këtë short, madje do ta quaja fat që na ka rënë me këtë skuadrën irlandeze.

Vllaznia, me sa duket, është skuadër me fat në përballje të tilla dhe besoj se do ta kalojmë këtë skuadër. Vërtet para se të hidhej shorti kisha parapëlqyer ndonjë skuadër sllovene, por edhe tani, pasi e kemi mësuar kundërshtarin, nuk është se nuk jam i kënaqur, përkundrazi. Besoj se do bëjmë më të mirën ndaj këtij kundërshtari, aq më tepër që ndeshja e parë luhet jashtë fushës sonë.” Edhe drejtues të tjerë të klubit janë shprehur të kënaqur me shortin. Ndërkohë, futbollistët dhe stafi, të grumbulluar në ambientet e hotelit në Pukë, kanë pritur telefonatat për të mësuar në lidhje me emrin e kundërshtarit të tyre. Grima, Sinani, Belisha e ndonjë tjetër e kanë aprovuar fillimisht këtë short dhe kanë premtuar se do të bëjnë më të mirën në dy ndeshjet me këtë kundërshtar. Në Shkodër edhe opinioni ka qenë i kënaqur me këtë kundërshtar.

Tifozët janë të bindur se irlandezët mund të kalohen. Fakti që janë një skuadër pa shumë emër dhe mbi të gjitha po kalojnë një moment jo të mirë në kampionatin e tyre, janë pluse për Vllazninë. Duke shpresuar në marrjen e një rezultati sa më të mirë në ndeshjen e parë, shkodranët premtojnë se do të mbushin stadiumin për të pritur kualifikimin në ndeshjen e dytë më 9 korrik në “Loro Boriçi”. Ata në fakt e kanë kryer në një ritual të përvitshëm këtë gjë, sepse në dy sezonet e fundit ka qenë e vetmja skuadër shqiptare që ka arritur të kalojë dy herë turin e parë. Kësaj here është e treta e vërteta. Nëse ndodh, do të ishte vërtet një mrekulli.

s.shqiptar

Komentet