Afrimi i ndeshjeve të Ligës Europiane e ka shtuar intensitetin e përgatitjeve në kampin shkodran. Kuptohet që koha në dispozicion është e limituar dhe për këtë arsye stafi drejtues është duke bërë më të mirën e mundshme për të ndërtuar një skuadër konkurruese në këtë kompeticion. Detyra e tyre kjo është për të përgatitur siç duhet lojtarët që kanë në dispozicion, ndërsa ajo e drejtuesve të tjerë të klubit është për të sjellë lojtarët e duhur nga merkatoja. Ajo çfarë duket e sigurt, ka të bëjë me faktin se kontigjenti i Vllaznisë në këtë aktivitet ndërkombëtar nuk do të ketë shumë ndryshime nga ai që është duke u stërvitur aktualisht në Pukë. Ajo do jetë baza, ndërkohë që pritet të vijnë sot ose nesër edhe dy futbollistë të tjerë. Të dy janë nga Brazili dhe njëri luan në mesfushë e tjetri në sulm. Me këto dy përforcime, gjithnjë nëse bëhen realitet, do mbyllet merkatoja e kuqebluve për këtë aventurë europiane, sepse nuk ka për momentin asnjë alternativë tjetër. Presidenca e klubit është duke bërë çmos të mbyllë gjithçka me lojtarët brazilianë, teksa ka paguar edhe një shumë të konsiderueshme për kartonin e tyre dhe tashmë pritet ardhja e tyre. Trajneri Lika e ka quajtur të domosdoshme ardhjen e ndonjë lojtari në sulm, sepse aktualisht vetëm Sinani ka qenë i gatshëm për këtë repart. Pa harruar këtu edhe tre të rinjtë, Balën, Rraboshtën dhe Dibrën, por për vetë moshën e tyre të re, sigurisht që nuk mund të presësh shumë prej tyre. Me ardhjen e brazilianit do të merrte formë edhe formacioni paraprak me të cilin do të luhej më 2 korrik në ndeshjen e parë ndaj kundështarit, emri i të cilit do të mësohet ditën e hënë në momentin e hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës. Kështu, Grima do të jetë në portë, ndërsa në mbrojtje katërshja e përbërë nga Smajli, Beqiri, Bashiç dhe Mrvaljeviç. Në mesfushë ka disa dilema piërisht për rolin e mesfushorit të krahut të djathtë. Aktualisht në këtë rol është i planifikuar, Osja por mund të ketë edhe ndonjë ndryshim në ditët në vazhdim, pas ardhjes së brazilianit tjetër, apo ekziston edhe ndonjë mundësi tjetër e zhvendosjes së ndonjë lojtari, ngaqë në qendër janë të gatshëm Belisha, Nallbani dhe kosovari tjetër Kasapi. Në krahun e majtë mendohet të luajë Shtubina, ndërsa në sulm Sinani me brazilianin që pritet të vijë. Kjo është projekt‑ideja, megjithatë nuk përjashtohet mundësia të ketë shumë ndryshime në mesfushë dhe sulm, ngaqë ende nuk është e qartë se cila do të jetë forma e dy brazilianëve që do vijnë apo dhe e kosovarit Kasapi. Për të gjitha këto arsye, Hasan Lika ka shumë dilema në mendjen e tij. Dilema që ai nuk mund t’u japë zgjidhje edhe për disa ditë. Mbase në mesjavën e ardhshme, gjërat do të marrin njëfarë përgjigjeje, por kjo mbetet për t’u parë. Kohë për të eksperimentuar nuk ka shumë në dispozicion dhe për këtë arsye pritet të ketë shumë pak lëvizje në formacion. Stafi drejtues do t’u besojë më tepër lojtarëve që kanë qenë pjesë e skuadrës edhe gjatë sezonit të kaluar.
s.shqiptar