Kuqeblutë e Vllaznisë, nga dita në ditë po shkojnë drejt formimit të skuadrës së tyre. Ndonëse në këtë drejtim priten të bëhen publikë edhe emra të tjerë futbollistësh titullarë, ardhja e të cilëve thuhet se do të jetë nga kampionati shqiptar dhe jashtë vendit, ajo që tërheq vemendjen është fakti se grupi në dispozicion të teknikut Lika po vjen nga dita në ditë duke u shtuar. Seanca e djeshme stervitore e Vllaznisë, e katërta që nga fillimi i ditëve stervitore për Ligën Europiane, ditë këto që kanë konsistuar edhe me ditët e para të punës të teknikut të ri Hasan Lika në krye të skuadrës ka qënë më e plota për nga numri. Në këtë senacë, e cila ashtu si edhe ditët e tjera është zhvilluar në fushën sportive të Shtojit, tekniku Lika ka patur në dispozicion një numër të madh futbollistësh, ku kontigjentit të mëparshëm i janë shtuar edhe dyshja Nallbani-Bashiç, si dhe kontigjenti i futbollistëve të kombëtareve, U-19, U-21 dhe perfaqesueses së parë. Kështu në një farë mënyre, po fillon e merr formë edhe Vllaznia e re, e cila një muaj më pas do të jetë në garë për turin e parë të Ligës Europiane. Kapitenit Sinani, Grimës, Belishës, Smajlit, Shtupinës, Osjës, Kaçit, Doçit, portjerëve Ndoja dhe Bishani, firmës më të re për kuqebluve kosovarit Fetim Kasapi, të rinjëve Vucaj, Dibra, i janë shtuar dje edhe dy të huajt, që me leje të drejtuesve të klubit Vllaznia kanë qënë me leje pranë familjeve të tyre, kroati Marko Bashiç dhe kosovari Ilir Nallbani. Ndërkohë, përpos këtyre, grupit kuqeblu i janë rikthyer edhe Elvin Beqiri, i cili pasi përfundoi angazhimet me kuqezinjtë e teknikut Kuzhe, me dy ndeshjet ndaj portugezëve dhe gjeorgjianëve, dje është vënë në dispozicion të teknikut Hasan Lika. Ndërkohë, me skuadrën janë bashkuar edhe futbollistët e kombëtares U-19, dyshja e talentuar Bekim Bala dhe Edon Hasani, e konsideruar si e ardhmja e Vllaznisë, të cilët për rreth një javë ishin pjesë e një turneu ndërkombëtar të kombëtares së drejtuar nga Ramadan Shehu, në Kroaci. Ndërkohë, një tjetër futbollist që iu bashkua kontigjentit të teknikut Lika në seancën e djeshjme stervitore është edhe 19 vjeçari Sykja, edhe ky i konsideruar si një futbollist i perspektivës në radhët e kuqebluve. Kësisoj për shkodranët, tani ka filluar seriozisht puna në proçeset stervitore, gjë që përveç të tjerave, kjo po shihet edhe nga një farë rritje të ngarkesës stervitore nga ana e stafit teknik, me në krye Hasan Likën. Burime nga stafi teknik i kuqebluve bëjnë të ditur se një ritëm i tillë, ku në program mbizotërojnë më teëpr ushtrime atletike dhe aerobike, shoqëruar me vrapime të lehta rreth fushë do të shoqërojnë kuqeblutë deri në fundjavë, ndërkohë që e hëna e javës së ardhshme, pritet që skuadrën kuqeblu ta gjëjë në qytetin malor të Pukës, klima e të cilit është me të vertetë joshëse në këtë stinë të nxehtë të vitit. Burimet brenda klubit shkodran bëjnë të ditur, se në momentin e nisjes së skuadrës për në Pukë, me grupin kuqeblu pritet të bashkohet edhe ndonjë futbollist tjetër titullar me peshë për formacionin e Likës, nga kampionati shqiptar, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen të ditur, pasi për to thuhet se interesohen edhe klube të tjera, por që sipas tyre, deri tani bisedimet me to kanë avancuar shumë dhe fillimi i javës së ardhshme ka shumë mundësi të zbulojë ndonjërin prej tyre. Përveç kampionatit shqiptar, ashtu siç është bërë e ditur edhe më përpara është duke u punuar shumë edhe në pistën e huaj, ku përveç Turqisë, ku klubi turk i binjakzuar me Vllazninë vitin e kaluar konsiderohet një aleat shumë serioz i presidentit Fushaj, vemendje është duke iu kushtuar edhe pistës malazeze dhe asaj kroate.
s.ekspres