“Këtu është Ok, por skuadra ka nevojë për përforcime”

Ai është një njeri që i merr gjërat me radhë. Të njëjtën gjë ka bërë tek Teuta, të njëjtën gjë ka bërë tek kombëtarja shqiptare U-21 dhe po të njëjtën gjë ka bërë tek Partizani, deri në muajt e parë të sezonit që sapo ka përfunduar. Ose të paktën deri në momentin që është larguar prej andej, sigurisht me një pendim, me atë pendim që nuk arriti të merrte titullin e historisë, edhe pse i shkoi aq afër një sezon më parë. Por, tani, Hasan Lika do të kthejë “faqen” dhe sigurisht të mbyllë ”kapitullin” e papëlqyeshëm me skuadrat e kaluara dhe të fokusohet tek një projekt i ri, tek ai i “Vllaznisë”. Tek ai projekt që nis me Ligën Europiane, të parën në llojin e saj (duke qenë se ky është viti i parë që ky format i ish Kupës UEFA aplikohet), duhet të zbatohet dhe në përpikmërinë më të madhe. Presidenti Fushaj dhe kuqeblutë sapo e humbën një kampionat dhe nuk mund t’I lejojnë vetes një tjetër disfatë sezonin e ardhshëm. Por, për të bërë këtë, duhet të bëhen disa përforcime, disa përforcime që i kërkon edhe vetë trajneri i sapoemëruar Hasan Lika…

- Pas një periudhe relativisht të gjatë, më në fund u ulët në pankinën shkodrane…

- Në fakt, kjo është puna jonë, pra puna e trajnerit. Unë, si të gjithë kolegët e mi jemi në të njëjtën “barkë”, teksa ka periudha që qëndrojmë të papunë dhe periudha të tjera që puna nis menjëherë. Në fund të fundit kjo është puna e një trajneri.

- Përse pikërisht Vllaznia?

- Sepse është një skuadër e mirë, me emër dhe sigurisht më bindi projekti i presidentit Fushaj, që e konsideroj si një njeri shumë të dhënë për futbollin. Po kështu, mendoj se ishte zgjedhja më e mirë që mund të bëja. Pastaj, sigurisht që do të jetë koha ajo që do të tregojë.

- Sa e njihni skuadrën shkodrane?

- Duke qenë se unë kam patur fatin që gjatë kësaj kohe që nuk kam qenë trajner kam qenë në emisione televizive dhe kam parë thuajse të gjitha ndeshjet të ritransmetuara dhe kam parë problemet, mangësitë, por edhe anët pozitive të skuadrave, mendoj se e njoh pak a shumë skuadrën shkodrane. Megjithatë, përsëri i qëndroj besnik asaj që kam thënë edhe në tv, se të bësh analizë duke e parë diçka nga jashtë është komplet ndryshe me bërjen e kësaj analize kur je brenda diçkaje dhe ndoshta e ndien më mirë se kushdo.

- Dhe si ju duket tani që jeni vetë “brenda”?

- Një përgjigje më të mirë dhe më të saktë do ta jap kur të njoh akoma më mirë të gjthë lojtarët.

- Sa njohuri keni për ata që janë aktualisht?

- Kam. Por, siç e thashë, tani është një kohë kur jo të gjithë janë në qind për qind dhe ku jo të gjithë mund të stërviten njësoj. Por edhe grupi nuk është i plotë. Kur të shikoj të gjithë grupin në gjendje pune do të mund të them akoma më shumë se kaq.

- Për çfarë ka nevojë kjo Vllazni, të paktën deri tani, me mënyrën sesi ju e shikoni?

- Për përforcime. Për dy, ose maksimumi tre të tillë. Në dy reparte dhe sigurisht që më pas do të jetë një skuadër më e fortë. Por këto do t’I diskutojmë me presidentin dhe po nisim nga puna.

- Kur do të mund të jetë gati skuadra për Ligën e Europës?

- Këtë nuk mund ta them tani, por dhjetë ditë përpara ndeshjes së parë, sigurisht që do të jemi gati. Pastaj të presim njëherë edhe shortin dhe të shikojmë se cila skuadër do të na bjerë.

- Gilman Lika, një përforcim vetëm për Europë?

- Ka qenë një dëshirë e vetë lojtarit që të kontribonte për Vllazninë. Por, më pas nuk e di. Nuk jam unë ai që vendos përsa i përket kushteve të kontratës së një lojtari apo jo. Megjithatë, siç e thashë, tani për tani nuk mund të flas më shumë, pa njohur mirë ambientin në të cilin do të punoj.

sport ekspres

Komentet