Mbrojtësi shkodran, Elvin Beqiri, është në dilemë për të ardhmen e tij. Futbollisti i ekipit tonë kombëtar ka edhe 6 muaj kontratë me Vllazninë, por e josh shumë kalimi në një klub jashtë vendit. 29-vjeçari, i cili ka disa eksperienca me klube ukrainase, e gjithashtu në Izrael, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ç’është e vërteta jam nën kontratë me Vllazninë. Në këtë periudhë kam qenë i angazhuar me Kombëtaren dhe nuk e di se çfarë do të bëhet. Do t’i shqyrtoj një herë të gjitha ofertat, e më pas do të vendos. Natyrisht, nga Vllaznia largohem vetëm për një klub jashtë  vendit.” Dje lojtari u prezantua me trajnerin e ri, Hasan Lika.