Ekipi shkodran nga e hëna e ardhshme do t’i vazhdojë stërvitjet e tij në qytetin e Pukës. Kështu është vendosur pas inspektimit që drejtuesit e klubit “Vllaznia” u kanë bërë disa vendeve dhe në fund ka triumfuar ideja për të shkuar në këtë qytet. Arsyet pse është vendosur kështu kanë qenë disa, pikësëpari klima shumë e mirë atmosferike që ofron ky qytet. Së dyti, fusha ku do stërvitet ekipi është në një gjendje mjaft të mirë, sepse kuqeblutë do t’i zhvillojnë seancat e tyre në stadiumin “Ismail Xhemali” të këtij qyteti që ofron kushte shumë të mira. Kjo gjë është arritur falë dashamirësisë së kryebashkiakut Rustem Strugaj edhe për faktin se raportet e presidentit të Vllaznisë me të janë shumë të mira. Skuadra ndërkohë do të sistemohet në hotel‑turizmin e qytetit, i cili edhe ai afron kushte shumë të mira për akomodim dhe ushqim.