Lëvizjet e ditëve të fundit në kampin kuqeblu kanë qenë të shpejta dhe me këtë ritëm duket se skuadra e re, ajo që do të përfaqësojë Vllazninë në sezonin futbollistik 2009-2010 do të jetë gati shumë përpara ndeshjeve të Ligës Evropiane. Madje sipas ritmit, por edhe deklaratave të dala nga bordi i klubit shkodran, java e ardhshme do të shënojë formimin e plotë të Vllaznisë së re. Dhe krahas kontigjentit kuqeblu të Vllaznisë së sezonit të kaluar, lista e atyre që do të luajnë për Vllazninë e re do të përbëhet edhe me futbollistë jo shkodranë. Dhe pikësëpari, pista malazeze ka filluar të japë shenjat e saj. Ishte folur shumë për shtatlartin Nikolla Vukçeviç, një futbollit ky që ka provuar të luajë edhe më parë për ngjyrat e Vllaznisë, por që për momentin pengesë po bëhet një marrëdhënie që ish mbrojtësi kuqeblu ka aktualisht me klubin e Buduçnostit të Podgoricës, që edhe zotëron kartonin e tij. Megjithatë, i pari që vjen nga kampionati i superligës së Malit të Zi është një kosovar, Fetim Kasapi, i cili në kampionatin e kaluar ka luajtur për skuadrën e Otrant të Ulqinit. Futbollisti 26 vjeçar nga Peja është vëzhguar nga afër gjatë ndeshjeve të sezonit të kaluar, jo vetëm nga specialistët e futbollit të klubit Vllaznia, por edhe të agjentëve e specialistëve të futbollit malazez, që punojnë për llogari të Vllaznisë. Kasapi, duke luajtur për ngjyrat e skuadrës ulqinake Otrant, ka spikatur jo pak në repartin e mesfushës, qoftë si organizator, apo edhe në të shumtën e rasteve me tendenca për të mbështetur repartin e sulmit, madjeka arritur edhe të shënojë. Kjo ka qënë arsyeja që pas shqyrtimit në bordin drejtues të klubit Vllaznia, presidenti i kuqeblu Valter Fushaj ka dhënë miratimin e tij, që ky futbollist të bëhet pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm futbollistik. Për këtë, pjesëtarë të stafit teknik kanë kontaktuar me futbollistin në fjalë, duke i përcjellë propozimin e zotit Fushaj, madje vetë futbollisti ka qënë prezent në Shkodër dhe pasi është takuar personalisht me numrin 1 të klubit kuqeblu ka rënë dakord në parim, që të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Siç bëhet e ditur nga pjesëtarë të bordit të klubit shkodran, kosovari që vjen nga kampionati malazez, pas bisedës me presidentin Fushaj ka udhëtuar për në Kosovë, për të qëndruar pak ditë pranë familjes së tij në Pejë, dhe javën e ardhshme, me fillimin e seancave stërvitore të Vllaznisë, ai do të bashkohet me skuadrën. Me praninë edhe të Ilir Nallbanit, një prej titullartëve më të spikatur të Vllaznisë në sezonin e kaluar, ardhja e pejanit Fetim Kasapi, e çon në dy numrin e futbollistëve kosovarë që luajnë për Vllazninë. Bazuar në atë që Nallbani ka dhënë për klubin kuqeblu, drejtuesit e Vllaznisë shpresojnë se edhe Kasapi do të jetë i tillë,për nga cilësia dhe përkushtimi. Aq më tepër kur që të dy i përkasin repartit të mesfushës, pretendimet janë edhe më të mëdha, që kjo dyshe kosovare në këtë repart të jetë sa më e efekshme dhe cilësore për lojën e skuadrës. Ndërkohë, për pjesën tjetër të skuadrës, thuhet se gjërat po shkojnë drejt normalizimit të plotë, ku pas ofertave që bordi dhe presidenca shkodrane i ka bërë kontigjentit që ka planifikuar të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri, tashmë priten edhe konfirmimet nga ana e vetë futbollistëve në fjalë.

sport ekspres