Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, tregon arsyet pse zgjodhi Hasan Likën për kuqeblutë
Mbrëmjen e së shtunës janë zhvilluar bisedimet e fundit. Palët nuk ka qenë e vështirë të gjenin akordin. Hasan Lika do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë për sezonin e ri. Lajmi ka qarkulluar shpejt edhe ngaqë tekniku i njohur ka qenë tribunën e “Qemal Stafës” së bashku me presidentin e kuqebluve për të ndjekur ndeshjen e kombëtares. Ndërkohë, Valter Fushaj dje në mesditë e ka pranuar publikisht zgjedhjen e tij për stolin e skuadrës që sponsorizon. Në intervistën e mëposhtme, numri një i klubit shkodran ka dhënë arsyet pse hoqi dorë nga Haxhiosmanoviçi dhe pse preferoi Likën në vend të tij.
‑ Çfarë ishin këto ndryshime të befasishme në stolin e Vllaznisë?
‑ Në fakt, ashtu mund të duket, ngaqë ndodhën shpejt, por në njëfarë mënyre ishim të detyruar të vepronim ashtu. Kisha dëshirë ta mbaja sërish si trajner Dervish Haxhiosmanoviçin, por një udhëzim i federatës, se nuk do ketë trajner pa licensën UEFA A në sezonin e ardhshëm, na detyroi të hiqnim dorë prej tij. Kjo ngaqë ky trajner nuk e kishte këtë licensë. Për këtë arsye, u vumë në kërkim të një trajneri tjetër.
‑ Megjithatë, duket se ruani sërish respekt për “Dedën”…?
‑ Patjetër. Ai është një trajner që ka punuar gjithnjë me dëshirë te Vllaznia. Unë e kam vlerësuar dhe respektuar shumë dhe prandaj kisha vendosur që ai të ishte trajner edhe për sezonin e ardhshëm. Kishim biseduar edhe për lojtarët që do të largoheshin dhe ata që do të vinin, çka tregon se nuk ka pasur asgjë të parapërgatitur për largimin e tij. Ndërkohë, sinjalizimi se Haxhiosmanoviçi me licensën që kishte nuk do mund ta drejtonte Vllazninë në sezonin e ardhshëm, na bëri që të mendojmë një zgjidhje tjetër.
‑ Hasan Lika doli shpejt në skenë?
‑ Pasi vendosëm që Haxhiosmanoviçi nuk mund të ishte trajner i Vllaznisë, sigurisht që nisëm menjëherë punën për gjetjen e një trajneri tjetër. Kuptohet që koha në dispozicion nuk ishte shumë e favorshme, ngaqë duhej të gjenim një emër brenda një kohe shumë të shkurtër, ngaqë të hënën (sot) fillon stërvitja e ekipit. Kandidaturat e mundshme ishin disa, ku kisha të sugjeruar prej kohësh emrin e trajnerit të ekipit malazez të Zetës. Po ashtu, ishin edhe disa alternativa nga kampionati shqiptar, ku më së shumti mendjen e kisha te Hasan Lika.
‑ Dhe u ndalët tek ai?
‑ Po, është zyrtare. Hasan Lika do jetë trajneri i ri i Vllaznisë në sezonin e ardhshëm.
‑ Pse atë?
‑ Në radhë të parë, sepse me të kisha biseduar me Likën edhe në momentin kur sezonin që shkoi Agim Canaj dha dorëheqjen dhe kishim nevojë për një trajner. Por në ato momente arritja e marrëveshjes nuk u bë e mundur. Përpos kësaj, Lika më ka pëlqyer gjithnjë se më është dukur dashamirës i Vllaznisë. Pa lënë mënjanë, madje ky ka qenë elementi që ka vendosur, se ai e njihet mjaft mirë madje deri në detaje lojën e skuadrës sonë. I njihte mirë të gjithë lojtarët aktualë, më mirë se secili kandidat tjetër për trajner dhe për këtë arsye, vendosëm që Hasan Lika të jetë trajneri i ri i Vllaznisë sezonin e ardhshëm. Por mos harroni që ai është edhe mik Shkodre dhe prandaj nuk do të jetë e vështirë të ambientohet.
‑ Kur do të nisë nga puna trajneri i ri?
‑ Që nesër (sot). Në drekë do të kemi ceremoninë e prezantimit dhe pasdite Lika do të nisë menjëherë nga puna me ekipin, sepse nuk kemi më kohë në dispozicion.
‑ Keni zgjedhur trajnerin, po lojtarët kur do vijnë?
‑ Jemi duke punuar dhe për pak ditë besoj se skuadra do kompletohet. Jemi të vendosur për të ndërtuar një Vllazni shumë të fortë dhe pretendente.
‑ Do t’ia arrini?
‑ Besimi ekziston dhe kur ekziston besimi, nuk ka gjë që nuk arrihet. Ne synojmë kalimin e një turi në Ligën Europiane dhe njëkohësisht të jemi pretendentë për fitimin e trofeve sezonin që vjen.
Sot ceremonia e prezantimit të trajnerit të ri
Çdo gjë është mbyllur dhe tashmë nuk ka më asnjë detaj tjetër që të pengojë zyrtarizimin e trajnerit të ri të Vllaznisë. Hasan Lika do mbërrijë mesditën e sotme në Shkodër dhe pas disa bisedave paraprake me presidentin Fushaj, do të ketë radhën për të bërë prezantimin e tij si trajneri i ri i Vllaznisë. Këtë e ka bërë të ditur vetë presidenti i kuqebluve, teksa një ceremoni e tillë do të zhvillohet në mesditë rreth orës 15:00 në zyrat e klubit pranë stadiumit. Ky do jetë kontakti i parë i teknikut kryeqytetas me Shkodrën, mediat dhe publikun, teksa nis një detyrë të re. Ndërkohë, pasdite, në orën 18:00, në fushën e Shtojit ai do jetë para skuadrës për të bërë edhe aty prezantimin e tij dhe për të nisur menjëherë nga puna me të. Klubi ka njoftuar dje se në këtë seancë të parë duhet të jenë prezentë të gjithë futbollistët, si ata që janë ende në kontratë ashtu dhe të tjerët.
Vllaznia, lojtarë të huazuar për Europën
Skuadra shkodrane do të marrë edhe lojtarë të huazuar nga ekipe të tjera për ndeshjet që do të zhvillojë në Kupat e Europës. Kështu ka vendosur bordi drejtues i klubit, i cili ka nisur punën edhe për këtë problem, teksa kërkon që ekipi të kompletohet për ta përballuar me sukses Ligën Europiane. Qëllimi i Vllaznisë është kalimi i të paktën një turi në këtë aktivitet. Pikërisht për t’ia arritur kësaj, duhet patjetër që të ndërtohet një ekip shumë i fortë. Kjo nuk është çështje e vogël, sepse në njëfarë mënyre, kuqeblutë janë në rindërtim në këto momente. Janë larguar pesë futbollistë, mund të largohet edhe ndonjë tjetër dhe për këtë arsye, nuk do jetë e lehtë për t’i zëvendësuar. Emrat dhe detaje të tjera nuk bëhen të ditura, por ky është qëllimi kryesor i drejtuesve kuqeblu.
Sporti Shqiptar
Komentet