Presidenti Fushaj dhe trajneri Haxhiosmanoviç kanë folur në lidhje me të ardhmen e ekipit
Mbrëmjen e së shtunës është larguar menjëherë nga Shqipëria, sigurisht i dëshpëruar në maksimum që nuk arriti ta nxjerrë Vllazninë kampione, ashtu siç kishte premtuar. Mbase jo për faj të tij këtë ndeshje, por Dervish Haxhiosmanoviç duket sikur e ka një peng të madh këtë gjë.
Ndërkohë, dje në mesditë, trajneri malazez ka mbërritur sërish në Shkodër. Për të biseduar shtruar me presidentin Fushaj në lidhje me atë çfarë ngjau në sezonin që sapo u mbyll, por edhe për të biseduar për të ardhmen.
Të dy ata janë takuar në ambientet e hotel “Colosseu” dhe për gati dy orë kanë biseduar shtruar me njëri tjetrin. Nuk bëhet shumë e qartë se çfarë është diskutuar më konkretisht në atë bisedë 120-minutëshe kokë më kokë, por nga ajo çfarë mësohet, është se çështja kryesore e bisedimeve ka qenë dështimi në ndeshjet e fundit të kampionatit të sapopërfunduar dhe mosshpallja e Vllaznisë kampione.
Presidenti Fushaj ka dashur të dijë se çfarë ndodhi në ndeshjen e fundit, në atë shpërfytyrim të kuqebluve ndaj Tiranës. Nga ana e tij, Dervish Haxhiosmanoviç është munduar të shpjegojë, sipas idesë së tij, arsyet e dështimit.
Takimi mes dy palëve është zhvilluar pa praninë e drejtuesve të tjerë të klubit. Gjatë bisedës, merret vesh se është diskutuar edhe për kontributin e shumë lojtarëve në skuadër, teksa “Deda” ka dhënë përshtypjet e tij për secilin prej tyre. Por nga ana tjetër, thuhet se palët nuk kanë biseduar shumë për bashkëpunimin mes tyre në të ardhmen.
Thjesht është diskutuar se kur duhet të fillojë puna për pjesëmarrjen në kupat e Europës, merkaton dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me të. Nuk është diskutuar fare për çështjen e kontratës së Haxhiosmanoviçit dhe të ardhmes së tij nëse do të vazhdojë të jetë në krye të Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm apo jo. Njerëz pranë teknikut nga Podgorica bëjnë të ditur se ai është shprehut që në ditët në vijim do ketë edhe një takim tjetër në ditët në vijim.
Mbase në atë takim do mbyllet gjithçka në lidhje me këtë çështje dhe të gjitha kanë për ta mësuar nëse do të jetë apo jo malazezi trajner i skuadrës shkodrane edhe sezonin e ardhshëm. Vetë presidenti Fushaj dje nuk ka dashur të flasë në lidhje me këtë problem, duke thënë se nuk është çështja që e shqetëson momentalisht.
Për të më konkretisht do bisedohet në ditët në vazhdim. E rëndësishme është të gjendet zgjidhja më e përshtatshme e mundshme. Vllaznia ka nevojë për një drejtim serioz, sepse pretendimet e saj edhe sezonin tjetër do jenë maksimale. Të paktën kështu duken objektivat paraprake të klubit.
Presidenti Fushaj ka shpjeguar se nuk do të hezitojë të shpenzojë sërish shuma të konsiderueshme për të ndërtuar një ekip pretendent dhe për këtë arsye tifozët shkodranë kanë mbetur në pritje të zhvillimeve të reja në kampin kuqeblu.
Nuk do ketë analizë, priten vetëm vendimet
Në fillim të kësaj jave, nga ana e vetë presidentit Fushaj u deklarua se gjatë këtyre ditëve do kishte një mbledhje të bordit drejtues të klubit. Qëllimi i kësaj mbledhje do ishte analizimi i sezonit që sapo lamë pas dhe njëkohësisht hedhja e piketave për sezonin e ri.
Njëkohësisht, do të diskutohet edhe për disa masa ndëshkimore financiare që mund të merreshin për lojtarët për mosarritje të objektivit. Por numri një i klubit “Vllaznia” dje ka lënë të kuptojë se kjo mbledhje e zgjeruar e bordit drejtues të klubit mund të mos zhvillohet.
Presidenti Fushaj është në takime të vazhdueshme me pjesëtarët e stafit të tij dhe tashmë është i qartë se çfarë masash do të marrë dhe njëkohësisht e ka të qartë edhe planin për ndërtimin e skuadrës së ardhshme. Për këtë arsye, mendohet që gjithë këto biseda të bëhen me lojtarët në momentin që do të ftohen për të biseduar për kontratat e reja.