“Radiografia” e zv.trajnerit Cungu: Ndikuan ndeshjet në “Loro Boriçi”, lamë shumë pikë aty
Zëvendësi që përcolli tre sezone në drejtimin e Vllaznisë, fillimisht me Josën, pastaj me Haxhiosmanoviçin, më pas me Canajn dhe sërishmi me Dedën, ka komentuar tre ish trajnerët që kanë drejtuar kuqblutë në këto 3 sezonet e fundit. Ai vetë po përfundon kursin e liçensës “A” për trajner është në pritje të vazhdimit të një pune edhe më serioze dhe pse jo për ta filluar që në përballjet europiane të Vllaznisë në kupat e europës.
Është vetëm 36 vjeç, dhe në vitet e fundit si pjesë e stafit teknik të Vllaznisë ka fituar eksperiencën e duhur dhe përpos kësaj roli i tij si mesfushor në kohën që luante si futbollist mund ta ndihmojë në karrierën e tij si trajner. Përpara se të merrte detyrën e trajnerit, fillimisht tek Ada e Velipojës për një gjysëm sezoni, dhe më pas tre sezone tek Vllaznia, Cungu kishte lënë pas një karrierë 15 vjeçare me Vllazninë, Etnikos të Pireut të Greqisë, Luftëtarin, Tteutën dhe Flamurtarin e Prishtinës.
- Profesor Cungu, fillimisht diçka për kursin e trajnerëve që sapo keni nisur në FSHF.
- Nën drejtimin e specialistëve të futbollit shqiptar si dhe atyre të huaj jemi një grup trajnerësh së bashku me Josën, Muçën, Canajn, Likën, Memën, Nicën, Omurin, Gjylën, Memushin, Strakoshën, Hodjen, e ndonjë tjetër do të jemi deri me datë 21 qershor, duke u trajnuar për liçencën “A” të trajnerit të futbollit, e cila ka vlerën që përpos drejtimit të ekipeve shqiptare të lejon të drejtosh edhe ekipe të nivelit të kategorisë së dytë në rang europian. Një licensë të tillë, mesa di unë në Shkodër e ka vetëm trajneri aktual i eklipit kombëtar Shpresa Artan Bushati.
-Duke qenë se përgjatë këtyre 3 viteve keni qenë pjesë e stafit teknik të Vllaznisë, mund të bëni një analizë të detajuar për ecurinë e kuqebluve?
- Për mendimin tim, Vllaznia ka bërë një paraqitje të mirë gjatë këtij sezoni futbollistik. Luftuam me dinjitet në të dy frontet, dhe nëse u larguam në shtesë nga gjysëmfinalja e kupës dhe morëm vendin e dytë të nënkampionit të Shqipërisë, unë mendoj se është për t’u vlerësuar një pozicion i Vllaznisë në krahasim me ecurinë e viteve të fundit rezultatet e Vllaznisë janë në rritje të dukshme.
-Megjithatë, keni qënë shumë pranë titullit…
- Po, është e vertetë, është një keqardhje e madhe që e humbëm, pasi gjatë kampionatit patëm epërsi edhe deri në 7 pikë me ndjekësen më të afërt, dhe në një farë mase e patëm në dorë trofeun, por gabuam në menaxhimin e ruajtjes së pikëve. Nuk mendoj se kampionati u humb në javën e fundit me Tiranën, por atë mendoj se e kemi humbur dështimet që kemi pasur në fushën tonë me Shkumbinin 2 - 2, Bylisin 0 - 0, Lushnjes 1 me 1 duke shtuar këtu edhe humbjen tepër me Dinanon po në “Loro Boriçi” 0 me 1, që gjithsejt janë 9 pikë të humbura që ndikuan drejtpërdrejt në humbjen e kampionatit.
- Për ju, cilat ndeshje kanë qënë më të bukutt e Vllaznisë në këtë sezon?
-Ndeshje të bukura kemi zhvilluar jo pak, por përgjithësisht mendoj se ato përballë ekipeve të kryeqytetit, si me Tiranën, sidomos për kampionat në “Qemal Stafa”, ku vetëm fati na la pa e fituar atë takim që përfundoi në barazim, me Dinamon, dhe përsëri me Tiranën që të gjitha në kryeqytet, aty i kemi bërë lojrat më të bukura memdoj unë.
- Çfarë ju ka mbetur peng më tepër në këtë sezon?
- Natyrisht që mosfitimi i titullit është i pari, dhe më pas, me sinqeritetin më të madh ju them, pengu tjetër është zhgënjimi që ne i bëmë tifozërisë sonë të zjarrtë në ndeshjen e fundit të kampionatit, të cilët gjej rastin t’I falenderoj për mbështetjen që i kanë dhënë skuadrës para, gjatë ndeshjes, si dhe në fund, që edhe pse shumë të mërzitur u treguan shembullorë, dhe prapë e duatrokitën skuadrën e tyre të zemrës Vllaznia. Shpresojmë që t’ia plotësojmë këtë dëshirë në kampionatitn e ardhshëm.
- Keni punuar për 3 vite rradhazi në tre stafe duke qënë zëvendës i Josës, Haxhiosmanoviçit, Canajt dhe përsëri së fundmi Haxhiosmanoviçit. Si ka qenë për ju kjo eksperiecë 3 vjeçare?
- Kam pasur fatin që kam punuar me këto tre figura të nderuara trajnerësh, dhe ajo që unë vlerësoj tek ato, është pastërtia që i ka karakterizuar ato, duke mos u përzierë në pazare dhe prapaskena, si ndonjë tjetër, të cilët jo më kot përfliten në opinionin sportiv shkodran, apo edhe më gjërë. Po kështu vlerësoj edhe profesionalizmin dhe seriozitetin e tryre në punë duke filluar me Josën, i cili ka meritën jo të vogël në fitimin e kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar, Canajn që ka po aq meritë në Vllazninë e këtij sezoni që ka udhëhequr kampionatin shqiptar me meritë, dhe po kështu edhe Haxhiosmanoviçin, i cili edhe pse me pak javë në dispozicion ka ditur të menaxhojë situatën dhe të marrë frytet e punës.Në këtë mes, nuk mund të lë pa përmendur edhe punën mjaft të mirë kordinuese dhe korrektesën maksimale që ka treguar, jo vetëm me stafet teknike, por në përgjithësi me tërë skuadrën të kreut të klubit, presidenti Valtr Fushaj.
- Si e mendoni të ardhen e Vllaznisë?
-Aktualisht jemi pushim. Kam pasur disa kontakte telefonike me presidentin Fushaj, dhe me sa di unë do të mblidhemi shpejt me bordin për të përcaktuar strategjinë e Vllaznisë së të ardhmes. Të gjithë dëshirojmë që të kemi një Vllazni sa më të mirë dhe potente për sezonin e ardhshëm, por siç e thashë më sipër, gjithçka do ta vendosë mbledhja e bordit, aty ku do të vendosen shumë gjëra edhe në lidhje me kontigjentin e skuadës, se kush do të qëndrojë dhe kush do të lagohet. Në pjesën më të madhe, çdo gjë do të nisë nga e parë, pasi thuajse të gjithë titullarëve të formacionit të parë u mbaron kontrata.
-Çfarë do të bëhet me stafin teknik, apo për trajnerin e parë?
- Pas përfundimit të ndeshjes së fundit në kryeqytet me Tiranën jemi ndarë normalisht për t’u ritakuar sërishmi. Nuk jam në dijeni të asgjëje, pasi edhe këto ditë jam në Tiranë duke ndjekur kursin e trajnerëve.
- Keni tre vite që jeni i besuari i Fushajt, aq më tepër që tani që po kualifikoheni me licensën e nivelit të lartë të trajnerit “A”, do të vazhdoni të jeni sërishmi në staf?
- Besoj se gjatë këtyre tre viteve kam punuar me tepër përkushtim në shërbim të klubit Vllaznia. Me të njëjtën pasion do të vijoj të jem në shërbim të Vllaznisë edhe në vitet në vazhdim. Është e drejtë e presidentit Fushaj për të vendosur në lidhje emrat e stafit të ri, gjithsesi, ashtu siç i kam shërbyer si futbollit Vllaznisë, edhe tani në rolin e trajnerit, do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë, aq më tepër tani që përvoja dhe kualifikimi sa vjen e rritet
S.Ekspres
Komentet