Barazimi me Lushnjën ka qenë për shkodranët si një “bombë” në këtë fundkampionati, por ai që nuk kërkon të dorëzohet, është trajneri Dervish Haxhiosmanoviç. Ky i fundit ka ende besim te titulli kampion, edhe pse gjërat tashmë duket se flasin në favor të Tiranës. Në Shkodër është përjetuar shumë keq barazimi i fundit, të cilin “Deda” e cilësoi si shërbimin më të keq, që lojtarët i bënë vetes. “Ka qenë një gabim i rëndë për ne. I kemi bërë vetes një nga gabimet më të mëdha gjatë këtij sezoni - theksoi trajneri malazez i kuqebluve. - Shënuam shumë shpejt dhe menduam se me atë gol, u zgjidh ndeshja. Gabuam shumë dhe e pësuam, ndërsa në pjesën e dytë krijuam shumë raste, edhe pse nuk arritëm të shënonim. Ishte me të vërtetë një fatkeqësi për ne, sepse i kishim të gjitha mundësitë për të qenë një pikë para Tiranës, por tani është e kundërta.” Dështimin në ndeshjen e fundit ”Deda” ia faturon totalisht mungesës së konkludimit të sulmuesve përpara portës. Edhe pse në pjesën e dytë për shkodranët në fushë kishte gati katër lojtarë sulmues, goli mungoi. “Mendoj se patëm mungesë konkludimi. Kishim shumë raste, sidomos gjatë pjesës së dytë, ku u luajt në një portë, por lojtarët nuk arritën të shënonin. Futbolli luhet për të shënuar dhe këtë ekipi im nuk e bëri. Më duhet them se, edhe mbrojtja tregoi se është e thyeshme dhe ka probleme”, pohoi Haxhiosmanoviç, duke kritikuar edhe repartin e prapavijës.

Tirana - Për të bërë mrekullinë në finalen e 23 majit kundër Tiranës, “Deda” kërkon nga kuqeblutë që të tregojnë se sa vlejnë, duke dhënë maksimumin në fushë. “Barazimi na e ka vështirësuar shumë punën, sepse tashmë na duhet vetëm fitorja në Tiranë. Sigurisht që nuk shkojmë si favoritë, por do të provojmë të fitojmë. Gjatë gjithë javës do mundohemi të korrigjojmë ato gjëra që nuk shkuan ndaj Lushnjës. Mbetemi me shpresë se do të bëjmë diçka. Tirana ka një epërsi prej një pike dhe për të arritur fitoren, neve na duhet të sulmojmë që në fillim të takimit. Prandaj, duhet që të punojnë shumë këtë javë, për të rritur forcën konkluduese të ekipit dhe përmirësojmë mbrojtjen. Pra, nëse duam që të jemi kampion, lojtarët duhet të tregojë maksimumin dhe të luajnë shumë më mirë seç kanë bërë deri më tani”, ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç.

Ekipi kuqeblu do të nisë sot përgatitjet për ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Tiranës. Pavarësisht situatës aspak të këndshme, stafi teknik do të bëjë maksimumin për të impenjuar totalisht ekipin. Ndoshta më shumë se në aspektin e përgatitjes taktike, trajneri Dervish Haxhiosmanoviç do të punojnë për të rritur ngarkesën në aspektin psikologjik lojtarëve.

Gjobat, sot pritet vendimi i bordit

Menjëherë pas përfundimit të takimit me Lushnjën, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i ka bërë një kërkesë bordit të klubit, për të gjobitur të gjithë lojtarët me 30% të kontratës, në rast të mosarritjes së objektivit madhor, që është fitimi i titullit kampion. Ky vendim pritet që të shqyrtohet sot në mbledhjen e bordit të klubit, i cili do të shikojë ndoshta me më gjakftohtësi kërkesën e presidentit Fushaj. Kjo, edhe për vetë faktin, pasi shkodranët në fundjavë kanë finalen për titullin kundër Tiranës. Toleranca e drejtuesve ka shërbyer në radhët e ekipit, që ka ditur të reagojë në momentin e duhur.