Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, gjen një mënyrë tjetër për të karikuar ekipin
Ka ndryshuar krejtësisht situata në kampin shkodran. Nga shumë problematike pas ndeshjes së fundit me Lushnjën, pardje dhe dje gjërat kanë ndryshuar krejësisht. Fillimisht ka qenë mbledhja e bordit të klubit që ka vendosur për të mos pasur gjoba dhe ndërkohë dje vetë presidenti Fushaj ka shpërthyer, duke premtuar plot 10 mijë dollarë për secilin futbollist në rast fitoreje me bardheblutë.
Numri një i klubit shkodran ka qenë dje pasdite prezent në stërvitjen e kuqebluve dhe ka dashur t’i motivojë edhe më tepër futbollistët.
Nga shumë i zemëruar pas ndeshjes, tani në stërvitjen e ekipit. Duket se keni ende besim?
Sigurisht që kam besim, sepse po të mos ishte kështu, sot mund të ishim në një pozitë krejt tjetër. Eshtë një skuadër që unë e kam ndërtuar për të dalë kampione dhe kam besim se mund t’ia arrijmë, pavarësisht se mund të kemi bërë ndonjë gabim të pafalshëm gjatë rrugës.
Si ju është dukur morali i skuadrës?
Të them të drejtën, nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Futbollistët e ndiejnë përgjegjësinë e situatës ku ndodhen dhe për këtë arsye duhet punuar për t’i nxjerrë nga kjo situatë. Për këtë arsye, sot u bëra të ditur edhe vlerën e premios që do të kenë në rast fitoreje në këtë ndeshje, çka do të thotë dhe fitimi i titullit kampion.
Dhe sa është vlera e kësaj premioje?
U kam premtuar plot 10 mijë dollarë për çdo futbollist titullar të 11 shes. Po ashtu, edhe futbollistët e pankinës do të kenë nga 7 deri në 10 mijë dollarë, pa përmendur edhe shpërblimin e stafit drejtues.
Një vlerë që shkon afër 200 mijë dollarë, ndërkohë që Tirana ka premtuar 200 mijë euro për titullin…?
Nuk do ta quaja garë, sepse në fund të fundit shpërblimi që u premtova futbollistëve të mi është i parashikuar në kontratat që janë të nënshkruara me ta. Kam qenë korrekt në të gjithë aspektet financiare me skuadrën, si me kontratat, rrogat ashtu dhe premiot dhe kështu do të jem deri në fund.
Sa për 200 mijë eurot e premtuara nga Tirana për titullin, më duket paksa qesharake, sepse kjo skuadër, nga informacionet që kam unë, nuk ka marrë rrogat prej 3 4 muajsh. Dhe para se të mendojnë për të marrë shpërblimin e titullit, futbollistët mendoj se duhet të kërkojnë rrogat e tyre para ndeshjes.
Besoni te titulli kampion?
Pse besoj po bëj gjithçka për të motivuar skuadrën përpara kësaj ndeshjeje. E sigurt është që do të bëjmë një ndeshje të madhe. Shpresoj që të kemi edhe fatin me vete, sepse ai është shumë i rëndësishëm në një ndeshje futbolli dhe, nëse këto dy gjëra bashkohen bashkë, natyrisht që do të kthehemi në Shkodër me titullin kampion.
Nuk ka pse ta kemi frikë Tiranën në asnjë aspekt. Gjyqtari është i huaj, tifozët do të jenë thuajse në numër të barabartë dhe prandaj në fushë do të fitojë ekipi që do tregohet më solid.
Meqë përmendët tifozët, besoni se ata do jenë të shumtë drejt Tiranës?
Tifozët e Vllaznisë nuk e kanë braktisur asnjëherë këtë skuadër. Duke qenë kështu dhe për hir të tyre, ngula këmbë që ndeshja të mos luhej në orën 20:00, siç e kërkonte Tirana, por në orën 19:00, në mënyrë që ata të kenë kohë kthehen në Shkodër, pse jo me titullin kampion për të festuar pastaj gjithë natën.
Tirana Vllaznia në orën 19:00
Pasi kanë mësuar faktin se ndeshja nuk do të luhej në orën 20:00, siç e kishte kërkuar Tirana, por 60 minuta më herët, tifozët shkodranë janë dukur të kënaqur.
Për ta është një kohë e përshtatshme edhe për të zhvilluar një lojë të bukur nga futbollistët e tyre, po ashtu edhe për t’u kthyer në kohë në qytetin e tyre pas ndeshjes. Meritë në këtë ndryshim të orarit ka sigurisht presidenti Fushaj, i cili po bën gjithçka që në këtë ndeshje të ketë sa më shumë tifozë.
Shtubina, i vetmi me probleme dëmtimi
Në radhët e skuadrës shkodrane në pragndeshjen me Tiranën, i vetmi futbollist që ka pak probleme me dëmtimet është mesfushori me tipare sulmuese Ndriçim Shtubina.
Ai u dëmtua në shpatull pas një ndërhyrjeje të një futbollisti të Dinamos në ndeshjen e dy javëve më parë dhe, me gjithë terapinë e zhvilluar në Podgoricë, nuk u riaftësua plotësisht për ndeshjen me Lushnjën. Ai e nisi ndeshjen e fundit nga stoli, por u pa qartë se, me gjithë përpjekjet e tij, nuk ishte në gjendje ta ndihmonte siç duhej skuadrën. Edhe në ditët e para të kësaj jave ai ka vazhduar terapinë e tij.
Komentet