Vllaznia ‑ Lushnja 1‑1
Shënues: Sinani 7′/ Bubeqi 45′
Vllaznia: Grima, Osja (Bala 81′), Beqiri, Bashiç, Lici, Plantiç (Sukaj 65′), Belisha, Dhëmbi, Kaçi (Shtubina 58′), Boadu, Sinani. Trajner: D.Haxhiosmanoviç.
Lushnja: Bejte, Xhafa, Ndoni, Koreshi, Bufasi (Sulo 55′), Topi, Sekseni, Kaloti (K.Arbri 34′), Baze (Gjoni 79′), Hasalla, Bubeqi. Trajner: I.Gjyla.
Gjyqtarë: S.Jareci, A.Pregja (Tiranë), F.Elezi (Durrës)
Karton i verdhë: Baze, Koreshi
“Radiografia”
7′- Kros i Kaçit nga krahu i majtë në zonë dhe aty Sinani godet saktë me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë. 1-0 për Vllazninë.
16′- Dhëmbi nis bukur një top të gjatë në zonë për Boadun, që pason shpejt te Sinani, i cili gjuan fort, por portieri Bejte e ka larguar topin me këmbë.
17′- Sekseri ekzekuton një goditje dënimi nga rreth 30 metra larg portës. Topi me shumë vështirësi largohet nga portieri Grima jashtë vijës fundore.
18′- Pas një goditjeje këndi, rrëmujë në zonën e Vllaznisë dhe për fat të mirë të vendësve, lojtarët lushnjarë nuk arrijnë ta çojnë topin drejt portës së Grimës.
22′- Kaloti gjuan nga 25 metra, pret Grima në pozicion.
23′- Boadu depërton në zonën lushnjare, godet në drejtim të portës së saj, por pret Bejte.
29′- Kombinim i bukur në zonë Plantiç‑Boadu, por ky i fundit gjuan në mënyrë të gabuar, kur ka mundësi ta çojë topin në portë.
35′- Bubeqi shmang fillimisht Osjen, pastaj edhe Beqirin, futet në zonën shkodrane, gjuan, por Grima me këmbë shpëton portën e tij.
44′- Goditje këndi për Vllazninë, topi shkon në zonë te Boadu, që godet me kokë, por jashtë.
45′- Një top i gjatë nga krahu i majtë i sulmit shkodran për Bubeqin, që pas shpinës së mbrojtjes së Vllaznisë, godet me kokë, topi preket nga Grima dhe përfundon në traversë, kthehet sërish në lojë dhe përsëri Bubeqi i pashqetësuar nga askush shënon golin e barazimit, 1‑1.
45+1′- Plantiç brenda zonës gjuan fort dhe portieri Bejte grushton topin mbi traversë.
47′- Sinani ekzekuton një goditje dënimi nga 30 metra, gjuan fort, topi grushtohet nga Bejte dhe Dhëmbi nuk arrin ta godasë topin drejt nportës.
49′- Plantiç depëron në zonë, godet fort, por vetëm rrjetë e jashtme.
59′- Pas një goditjeje këndi, topi goditet me kohë nga Dhëmbi dhe përfundon në traversë, kthehet në lojë dhe goditet sërish nga Belisha, por pret Bejte.
60′- Portieri Bejte gabon në një dalje, teksa përplaset me një mbrojtës të vetin, përfiton Sinani, që godet, por jashtë.
69′- Kros i Osjes nga e djathta për Sinanin, që godet me kokë dhe topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.
70′- Aksion i bukur i Vllaznisë, topi shkon te Dhëmbi, që në pozicion ballor me portën, gjuan nga 22‑23 metra dhe portieri Bejte e grushton bukur topin.
80′- Gjuan Sinani, grushton Bejte, provon edhe Lici me portën e boshatisur, por nuk arrin dot të shënojë.
82′- Dhëmbi gjuan fort nga një pozicion ballor, por sërish pa çuar dot topin në portë.
84′- Sukaj godet, pret Bejte.
85′- Dhëmbi edhe një herë tjetër godet dhe sërish mbi traversë.
90′- Sukaj fare pranë portës godet me kokë, por topi kalon mbi traversë.
Komenti
Shkodranët dje kanë bërë gabimin më të madh të këtij kampionati. Atëherë që mund t’ju kushtojë shumë, ndoshta edhe titullin kampion. Barazimi në fushën e tyre me Lushnjën ka qenë një rezultat i papranueshëm, sepse ata nuk shkojnë në Tiranën në ndeshjen e fundit të kampionatit në avantazh. Dje u duk se ata do ta fitonin lehtë ndeshjen. Vllaznia që në fillimin e lojës u duk qartë se do ta kërkonte shpejt avantazhin për të qenë më e qetë në fushën e lojës. Dhe në fakt, pavarësisht tri mungesave të saj në formacion, kuqeblutë e kanë dominuar lojën në minutat e para të ndeshjes. Rrjedhimisht, edhe kanë arritur të bëjnë presion në zonën kundërshtare, duke shënuar madje shumë shpejt edhe golin e parë me anë të Sinanit. Kaçi në minutën e shtatë ka krosuar saktë në zonë dhe kapiteni kuqeblu me kokë ka dërguar topin në rrjetë. Duket se me shënimin e këtij goli shpejt gjërat do të flisnin veç për vendësit, por nuk do të ndodhte kështu. Shkodranët tërhiqen në mënyrë të pakuptimtë, duke u dhuruar terren miqve, të cilët fillojnë të shfaqen herë pas here të rrezikshëm para portës së Grimës. Madje në dy raste është merita e këtij të fundit që shpëton Vllazninë pa pësuar golin e barazimit. Kuqeblutë mundohen që në momente të veçanta të rrisin tempin e lojës dhe të shohin drejt portës mike, por sulmet e tyre janë më tepër sporadike. Trajneri i Lushnjës vendos të rrezikojë dhe hedh në fushën e lojës edhe Klodian Arbrin për të forcuar sulmin. Dhe kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me fitoren e vendësve, do të vinte goli i Bubeqit, që tregohet perfekt në shkëputjen ndaj mbrojtjes vendëse dhe në goditjen me kokë në të dy rastet. Pjesa e dytë nis me vrull për vendësit, që nuk pajtohen me barazimin. Nisur nga presioni që bëjnë, duket se goli i barazimit është çështje minutash, por nuk do të ndodhte kështu. Përballë mbrojtjes së ngjeshur të miqve, Vllaznia nuk është në gjendje të çajë dot. Trajneri Haxhiosmanoviç fut në lojë fillimisht Shtubinën e pastaj dy sulmuesit Sukaj e Bala, por pa rezultat. Rastet krijohen, por ndoshta mungon edhe fati, si në momentin kur topi i goditur nga Dhëmbi goditi traversën. Rezultati nuk do të ndryshonte deri në vërshëllimën e fundit të Jarecit dhe Vllaznia kësisoj tashmë duhet vetëm të fitojë në Tiranë për t’u shpallur kampione. Një mision i vështirë, por jo i pamundur.
Deklarojnë:
Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë: “Ka qenë një gabim i rëndë për ne. Nuk duhej të gabonim kurrsesi në këtë ndeshje, por ja që ndodhi. Shënuam shumë shpejt dhe menduam se me atë gol u zgjidh ndeshja. Gabuam shumë dhe e pësuam, ndërsa në pjesën e dytë krijuan shumë raste, por nuk arritëm të shënojmë. Patëm mungesë konkludimi, ndërkohë që edhe mbrojtja tregoi se është e thyeshme. Ky barazim na e ka vështirësuar shumë punën, sepse tashmë na duhet vetëm fitorja në Tiranë.”
Ilir Gjyla, trajner i Lushnjës: “Ka qenë një pikë e rëndësishme për ne, sepse na mban me shpresa. Por ajo që vazhdoj të theksoj është se faji që sot ekipe si Lushnja, Elbasani e Partizani rrezikojnë rënien, është i federatës. Ka dy javë që nuk luhen ndeshje për të qenë. Mbase edhe Vllaznia edhe Lushnja duhej t’i kishin nisur prej kohësh këto punë, por nuk e kanë bërë këtë gjë dhe ja ku janë sot. Ndaj Vllaznisë luajtëm mirë, morëm një pikë dhe njëkohësisht falënderojmë edhe tifozërinë shkodrane, që ishte mjaft korrekte.”