Presidenti Fushaj largon euforinë
“Edhe Lushnja është si një finale. Të fitojmë të shtunën, më pas të mendojmë për Tiranën”
Presidenti i klubit sh kodran, Valter Fushaj, kërkon të largojë euforinë që ka përfshirë ekipin, në prag të ndeshjes me Lushnjën, të cilën ai e shikon si një përballje shumë të vështirë. Edhe pse për kuqeblutë, ekipi verdhjeshil në letër duket si i kalueshëm, fakti që për kundërshtarin është një sfidë për “jetë a vdekje”, ia bën edhe më të vështirë gjërat Vllaznisë. Për lushnjarët është shansi i fundit për mbijetesë dhe ndoshta një pikë në “Loro Boriçi” i lë ata të kënaqur, por që një rezultat i tillë mund t’u krijojë shumë probleme shkodranëve në objektivin për të fituar titullin kampion. Prandaj, duke u nisur nga këto faktorë, presidenti Fushaj kërkon nga lojtarët përqendrim maksimal në këtë ndeshje. “Nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë,- nis bisedën e tij për ‘Panorama Sport’ numri një i klubit shkodran. - Kundër Lushnjës duhet të fitojmë patjetër. Por dua që futbollistët të mendojnë vetëm për këtë takim. Nuk do të ishte aspak e këndshme që ekipi ynë të linte pikë. Prandaj, të gjithë përpara se të mendojmë për Tiranën, duhet të shikojmë për takimin e radhës me Lushnjën, që mendoj se është gjithashtu, një finale e vogël për ne. Nuk ka pasur në këtë kampionat takime të lehta, e aq më tepër që kundërshtari ynë lufton për mbijetesë dhe ka si të thuash shansin e fundit. Dua të theksoj se ky kampionat ka treguar që rivaliteti nuk ka munguar mes të gjitha ekipeve, pavarësisht vendit që janë ndodhur në renditje. E përsëris që duhet të kalojmë me sukses Lushnjën dhe më pas të mendojmë për Tiranën. Gabohemi, nëse e quajmë të fituar këtë ndeshje.”
Dhurata për tifozët
Edhe pse presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, u bën thirrje kuqebluve që të mendojnë vetëm për Lushnjën, nga ana tjetër ai ka filluar përgatitjet që tani për ndeshjen e sezonit me Tiranën, që do të luhet më 23 maj në “Qemal Stafa”. Megjithatë, Fushaj ka filluar të mendojë më shumë për tifozët. “Në këto momente do t’u kërkoja tifozëve të na mbështesin në maksimum. Për takimin e fundit në Shkodër me Lushnjën, shpresoj që ata të jenë sa më të shumtë në numër. Ne si klub i kemi marrë të gjitha masat dhe kësisoj do të ulim çmimin e biletave për këtë ndeshje. Fitimet e tyre do të shkojnë që të gjitha për të siguruar sa më shumë autobusë për takimin e fundjavës së ardhshme në Tiranë. Neve tani na duhet sa më shumë mbështetje dhe sa më shumë optimizëm që të mund të arrijmë objektivin tonë madhor, fitimin e titullit kampion”, ka thënë Fushaj. Në fund, kreu i klubit kuqeblu ka përsëritur për ekipin që gjithçka ta marrë sipas radhës, teksa tashmë priten vetëm tri pikët të shtunën.
“Canajn e kanë respektuar të gjithë në Shkodër”
Pas deklaratës së ish-trajnerit të Vllaznisë, Agim Canaj, i cili në një rrëfim për “Panorama Sport” theksoi se largimi i tij nga ekipi erdhi sepse drejtuesit e klubit ishin xhelozë që ai dilte shpesh në gazeta dhe televizione, ka reaguar presidenti Valter Fushaj. Ky i fundit nuk ka dashur të replikojë me trajnerin, edhe pse ka mbetur i habitur nga deklarata e tij. “Unë di të them se Agim Canaj është respektuar nga të gjithë në Shkodër. Qoftë nga unë i pari, si president klubi, pjesëtarët e stafit teknik dhe tifozët. Nuk më duket e hijshme që në këtë moment të flas për largimin e tij. Është diçka e kaluar dhe nuk kam dëshirë të replikoj”, është shprehur kreu i klubit shkodran. Ish-trajneri ka thënë se largimi i tij u imponua nga atmosfera mbytëse që u krijua në Shkodër, sidomos pas humbjes me Teutën 4-0. Canaj dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj disfate, ndërkohë që i la kuqeblutë në vend të parë, me pikë të barabarta me Tiranën.
Panorama
Komentet