Ashtu siç ishte parashikuar, Vllaznia U-17 është kurorëzuar dje pasdreke kampion i vendit me një ceremoni shumë të bukur. Mes tingujve muzikore dhe zërave brilant të këngëtarëve shkodranë, Bujar Qamili dhe Hajro Pepa, si dhe një tifozerie të shumtë në numër, presidenti të Vllaznisë, Valter Fushaj, i ka dhuruar kupën kapitenit të kuqebluve, Abaz Karakaçit. Ndërsa përkrah njëshit të presidencës në këtë ceremoni kanë qenë edhe dy përfaqësuesit e FSHF-së, Ilir Shulku dhe Plarent Kotherja, të cilët u kanë shpërndarë lojtarëve dhe drejtuesve medaljet të titullit kampion. Të pranishëm gjithashtu, ishin nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ahmet Omi si edhe drejtues të tjerë të Pushtetit Vendor të qytetit verior. Ky titull është fituar për të dytin vit radhazi nga 17-vjeçarët shkodranë, që drejtohen nga trajnerët e ri, por me shumë perspektivë, Elvis Plori dhe Samuel Nika. Vetë tekniku Plori mes entuziazmit, titullin ia ka dedikuar të gjithëve. “Është me të vërtet një emocion, që për të dytin vit me radhë njëherë si zëvendëstrajner dhe kësaj here si trajner kurorëzohem me titullin e kampionit. Për këtë, meritë të padiskutueshme ka edhe kolegu im Samuel Nika, por edhe të gjithë fëmijët, të cilët kanë qenë të mrekullueshëm. Këta djem kanë një të ardhme të sigurt përpara, por për këtë duhet që të mos e ndalin asnjëherë punën. Janë të rinj shumë të talentuar, ndaj të cilëve duhet të ketë shumë përkujdesje, në mënyrë që Vllaznia të mos kërkojë shumë larg për të ndërtuar një ekip të denjë”, tha tekniku Plori.
Ndeshja
Vllaznia U-17 e ka mbyllur me fitore edicionin e sivjetshëm të kampionatit. Ka qenë një takim shumë interesant, i cili është zhvilluar në praninë e shumë shikuesve, që ndodheshin në stadiumin “Loro Boriçi”. Pavarësisht se ishte shpallur kampion disa javë më parë ekipi shkodran nuk ka toleruar ndaj Lushnjës, që kërkonte t’i shpëtonte rënies në një kategori më poshtë. Ndeshja ka filluar mjaft e shpejtë për vendësit, të cilët që në minutën e dytë kanë arritur të shënojnë me anë të Abaz Karakaçit. Ndërsa pak minuta më vonë shkodranët shënuan me anë të Stivi Shabanit. Me rezultatin 2-0, kuqeblutë U-17 i kanë dhënë fund këtij sezoni, duke u kurorëzuar si kampionë të vendit.
Fushaj: I uroj vetëm sukses
Në ndeshjen e fundit që Vllaznia e U-17 ka zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, ka qenë i pranishëm me të birin në krah edhe presidenti i ekipit kuqeblu, Valter Fushaj. Njëshi i presidencës i ka përkrahur dhe mbështetur djemtë e kësaj akademie si brenda, ashtu edhe jashtë Shkodre. Në fund Fushaj për “Panorama Sport”, është shprehur: “Shpresojmë që ky titull t’i paraprijë atij kampion të Superiores, që besojmë se do ta fitojmë me ekipin e parë. Unë do t’i uroja suksese këtij ekipi pa përjashtuar në asnjë moment dhe trajnerët Plori dhe Nika, për punën dhe përkushtimin që kanë treguar. Shpresojmë që të rinjtë të jenë një e ardhme e sigurt për ekipin tonë në vazhdimësi”.
VLLAZNIA-LUSHNJA 2-0
GOLAT: 2’ Karakaçi, Shaba 14’
VLLAZNIA: Koleci, Bushaj, Rusi, Marku, Bardulla , Shaba , Hotaj, Tafa, Krakaçi, Erkoçeviç, Djepaxhija. Trajner: E. Plori
LUSHNJA: Kaloshi, Çulhaj, Shurlli, Muzaku, Qose, Gjyra, Lila, Biçaku, Sula, Gjolena, Baba Trajner: G. Taullau
GJYQTARË: R.Pjetrushi, E.Bajrakurtaj, P.Simoni (Lezhë)
Komentet