Vllaznia ka arritur të fitojë përballë kundërshtarit, që për të ishte më i forti i këtij sezoni, Dinamos. Ashtu si në dy takimet e tjera, ku të dyja skuadrat janë ndeshur si për kampionat, ashtu edhe për Kupë, skuadra shkodrane ka pasur vështirësitë për të marrë në fund të këtij takimi tri pikë shumë të çmuara për vazhdimësinë. Tekniku i Vllaznisë, malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, e ka vlerësuar së tepërmi Dinamon, madje e ka vlerësuar edhe më shumë se Tirana, që është rivalja kryesore për titull. Mbase një vlerësim i tillë është edhe “diplomatik”, ngaqë javën që vjen blutë do të ndeshen me Tiranën dhe nuk përjashtohet mundësia që t’u bëjnë ndonjë dhuratë shkodranëve. “Rëndësi ka për ne fitorja dhe marrja e tri pikëve, sepse luanim ndaj Dinamos, që për mendimin tim është skuadra më e mirë e kampionatit, - shprehet fillimisht ‘Deda’. – Vllaznia para këtij takimi duhet të thuhet se ishte disi nën presion, ngaqë me këtë skuadër kishim bilanc negativ këtë sezon. Një tjetër rezultat përveç fitores për ekipin tonë do të ishte një shkatërrim në këto momente. Megjithatë, unë them se e merituam plotësisht fitoren. Por e kishim të qartë se, nuk do të ishte absolutisht një takim i lehtë”, ka vazhduar tekniku, i cili duket se jo vetëm ka mposhtur një nga kundërshtarët më të frikshëm të kuqebluve në këtë sezon, por ka thyer së bashku me ekipin kuqeblu “tabunë” dinamovite në fushën e blertë të “Loro Boriçit” këtë sezon.

Loja

Shkodranët edhe në takimin e së shtunës kanë vuajtur shumë përballë një rivali me kualitete si Dinamo. Për shkodranët, ky ka qenë edhe takimi më i vështirë gjatë kësaj faze në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë jo pak, por madje në shumë raste në këtë takim kanë pasur fatin me vete, sepse kanë shfaqur dy tablo. Megjithatë, fitorja duket se ka mbyllur gjithçka madje, edhe gabimet e bëra nga lojtarët shkodranë. “Kjo ishte një ndeshje me dy tablo. Goli në fund të pjesës së parë na dha qetësinë, të cilën duhet ta administronim mirë gjatë pjesës së dytë. Dhe pikërisht në këtë pjesë, lojtarët i druheshin pësimit të një goli, që do të ishte fatal për ne dhe u tërhoqën prapa në mënyrë të pakuptimtë. Për fat nuk pësuam dhe e mbyllëm ndeshjen me fitore. Kjo ishte ajo që duhej dhe që ka mbyllur gjithçka”, tha “Deda”. Dje kuqeblutë kanë bërë pushim, ndërsa sot kanë nisur përgatitjet.

 

Javët e mbetura

Për kuqeblutë, tani gjithçka do të zgjidhet vetëm në ndeshjen e fundit. Pavarësisht se dinamovitët kanë dhënë më të mirën e tyre në Shkodër, edhe pse me disa mungesa, në qytetin verior ka pak që besojnë se ekipi i Muçës do të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj Tiranës, megjithatë kështu nuk e mendon malazezi kuqeblu. “Për ndeshjet e mbetura nga ne kërkohet të bëhet përsëri maksimumi. Këtë duhet ta bëjmë ndaj Lushnjës dhe pastaj ndaj Tiranës. Kuptohet që dëshira do jetë, pse jo të shkojmë me katër pikë në ndeshjen e fundit me Tiranën, por edhe me një do tentojmë të njëjtën gjë, të fitojmë në takimin e fundit me bardheblutë dhe të shpallemi kampion. Unë kam besim tek arritja e këtij titulli, që do të ishte i dyti për mua me këtë ekip”, përfundon fjalën e tij trajneri i ekipit shkodran, Dervish Haxhiosmanoviç

STËRVITJA

Vllaznia dje ka qenë tërësisht pushim. Shkodranët kanë kaluar me sukses një takim shumë të lodhshëm dhe me shumë presion ndaj Dinamos. Një ditë pushimi, që ka qenë mëse e domosdoshme për ekipin shkodran. Mirëpo për kuqeblutë, kjo do të jetë dita e vetme e pushimit deri pas përfundimit të takimit me Lushnjën. Ata pritet t’u kthehen sot seancave stërvitore, që do t’i zhvillojnë në fushën e stërvitjes së këtij ekipi në Shtoj. Seanca e parë pritet të fillojë sot rreth orës 17:00.

Panorama