Ka fituar dy herë, fillimisht për kampionat dhe më pas edhe për kupë, por këtë radhë nuk do të ndodhë kështu, pasi Vllaznjia kurrsesi nuk mund të gabojë tre herë radhazi në fushën e saj. Një mendim i tillë ne lidhje me takimin kunder Dinamos ekziston në tërë opinionin sportiv të qytetit verior, por në të njëjtën kohë një objektiv të tillë e ka edhe vetë skuadra shkodrane Vllaznia, e cila që prej ditës së hënë ka filuar përgatitjet me shumë seriozitet, për të qënë e gatshme për sfidën e së shtunës. Mendimin e skuadrës në përgjithësi e përcjellë për “Sport Ekspres” kapiteni i kuqebluve, Vioresin Sinani, ai që në fakt e ka një kujtim jo shumë të këndshëm në përballjen me këtë skuadër. Sa për retrospektivë, mund t’i rikujtojmë lexuesve tanë atë moment fatal, të 28 dhjetorit 2008, kur kapiteni shkodran ka qënë shumë i pafat, teksa ka humbur dy herë radhazi penalltinë e gjuajtur në portën e Dinamos të mbrojtur nga Kotorri. Kjo erdhi pikërisht në momentin më të mirë që po e shoqëronte Sinanin, kur deri në atë ndeshje kishte dhuruar skuadrës gola vendimtarë dhe shumë përcaktues, të cilët i dhanë kryesimin deri në shtatë pikë diferencë me rivalen Tirana. “Dinamo është një skuadër që meriton respekt të veçantë, pasi në gjirin e saj ka futbollistë me emër, por për hir të së vertetës, më duhet të them që skuadra e jonë do të luftojë fort për të marrë fitoren, të cilën të gjithë si kolektiv besojmë se këtë radhë, do ta bëjmë realitet”. Këtë ai e bazon duke dalluar qartë angazhimin dhe mobilizimin maksimal që ka përfshirë të gjithë kampin kuqeblu në tërësi, në prag të këtij ballfaqimi dhe më tepër tek forma sportive e skuadrës, e cila aktualisht është shumë më e mirë se ajo e Dinanos. Më pas, numri 9 i Vllaznisë, i cili duket qartë se e ka një peng në përballjet me Dinamon, vetë personalisht ka në objektiv të shënojë patjetër në ketë ndeshje. Dhe golin ai nuk do ta kërkojë ta shënojë me penallti, pasi në fakt që prej asaj ndeshje ka hequr dorë totalisht nga 11-metërshi, por ai pritet të vijë si prodhim i lojës dhe bashkëpunimit me shokët e tij. “Gjithsesi edhe e dëshiroj shume, të shënoj në këtë ndeshje, për të hequr në një farë mase edhe fatin e keq ndaj Dinamos, më e rëndësishme është që Vllaznia të shënojë si ekip dhe përfundimi të rezultojë me fitoren e tre pikëshit për kuqeblutë, duke i hapur rrugë më pas betejës tjetër të parafundit të kampionatit, atë me Lushnjen, ndaj së cilës është i njëjti objektiv, ai i marrjes së tre pikëshit, që me gjashtë pikë të plota në këto dy ndeshje, krijojnë komoditetin e duhur për të shkuar në finalen e ndeshjes së fundit, thjeshte per t’i dhene rifinituren edicionit, ku edhe barazimi i bën ata fitues të titullit. Ndërkohë, duke iu referuar paksa takimit të mërkurës tjetër, asaj me Tiranën në “Qemal Stafa” për kupë, Viori shpreh keqardhjen për eleminimin e Vllaznisë nga ky kompeticion. “Ne kishim synime të tjera dhe në fakt ishim parapërgatitur për kualifikim, por futbolli është i tillë, ka edhe të papriturat e tij”, shprehet Sinani, i cili fillimisht si ters, llogarit dëmtimin e Dhëmbit, i cili ishte planifikuar gjatë të gjithë javës të luante përkrah tij, por edhe nderrimin e tij ne pjesen e dyte. Një ndërrim ky që nuk ka kalaur pa komente në opinionin sportiv, por edhe të specialistëve të futbollit, pasi sipas tyre, një nga arsyet e dështimit në këtë gjysëmfinale ia lënë edhe largimit të tij nga fusha përpara kohe. Në të vertetë, për këtë pikë, Sinani nuk ka dashur te bej asnje koment.
Sport Ekspres
Komentet