Paulin Ndoja është indinjuar nga fjalët e Allmuçës dhe nuk e ka kuptuar cinizmin e tij
Në kampin shkodran prej ditësh nuk janë kapërdirë mirë disa komente, deklarata dhe prononcime të ndryshme që vinin nga ekipet e Tiranës dhe Dinamos. Nga klubi shkodran nuk ka dashur kush t’u përgjigjet atyre, vetëm kanë vazhduar punën dhe përgatitjet për ndeshjen e radhës.
Por ndërkohë dje ka bërë përshtypje te të gjithë një prononcim i Igli Allmuçës që deklaronte se Vllaznia merret veç me fjalë. Për të reaguar ndaj këtyre deklaratave, ka dalë njëri prej pjesëtarëve të stafit drejtues të kësaj skuadre, legjenda e portës Paulin Ndoja. Ai ka marrë leje edhe te drejtuesit e klubit për këtë çështje dhe ka dashur t’i tregojë mesfushorit dinamovit se kush është Vllaznia.
“Të themi të drejtën, jemi jo pak të indinjuar nga deklarata të tilla. Unë e vlerësoj Allmuçën si futbollist, por nuk mund të pranoj fjalët që ka thënë. Vllaznia nuk ka vetëm fjalë, sepse po të themi kështu, duhet t’i biem ndesh Vllaznisë së kampionateve dhe kupave, sidomos skuadrës së sotme që është në vend të parë me meritë.
Vllaznia nuk ka fjalë, por ka pikë dhe rezultate në ecurinë e saj dhe për rrjedhojë jemi të parët në renditje dhe mjaft meritë,” ka thënë përgatitësi i portierëve të skuadrës kuqeblu. Ndoja nuk është aspak dakord që futbollistët të flasin ashtu siç ka folur Allmuça dhe prandaj shton: “Nuk e di si mund të flasë një futbollist ashtu siç ka folur ai.
Kam gati 50 vjet që merrem me futboll dhe kurrë nuk ka dëgjuar të flitet me kaq cinizëm për kundërshtarin. Këtë nuk e kanë bërë as Çeço, Pernaska, Çutra, Sejdini, kolegët e tij vite më parë dhe nuk duhet ta bëjnë as futbollistët e sotëm. Të paktën te Vllaznia jemi munduar të jemi shumë korrektë në këtë drejtim.
Megjithëse kemi pasur arsye pse të mburremi, asnjëherë nuk kemi dëgjuar ndonjë futbollist të shprehet në media me cinizëm për kundërshtarin. Futbollistët duhet të bëjnë detyrën e tyre në fushë, ndërsa për të folur për të tilla gjëra janë drejtuesit e skuadrës, ata të klubit dhe presidenca. Nuk ka pse të krijojë probleme mes klubeve Allmuça, kur, me sa di unë, edhe presidentët kanë shumë miqësi me njëri tjetrin.”
Pavarësisht këtij reagimi, në kampin shkodran është duke u punuar me shumë përkushtim për takimin e radhës ndaj bluve. Asnjë nënvlerësim, asnjë shpërqendrim, por thjesht angazhim maksimal për këtë sfidë. Paulin Ndoja e konsideron shumë të rëndësishëm këtë takim, prandaj shton: “Ndeshja me Dinamon, por edhe ajo me Lushnjën janë shumë të rëndësishme për ne.
I vlerësojmë maksimalisht këta kundërshtarë dhe sigurisht që do të kërkojmë fitoret për të mbërritur pastaj te ndeshja e fundit me Tiranën. Duhet kurrsesi të mos gabojmë.” Në këtë logjikë, titulli do të vendoset në javën e fundit të kampionatit. Këtë mendon edhe një nga ndihmësit e Haxhiosmanoviçit, i cili i pyetur në fund nëse Vllaznia e ka frikë Tiranën, ngaqë e humbi një betejë ndaj saj pak ditë më parë, Paulin Ndoja do të përgjigjej: “Çështja e titullit kampion duhet të zgjidhet në ndeshjen e fundit.
Absolutisht nuk e kemi frikë Tiranën. Ne do shkojmë me dinjitet me 1 pikë epërsi në atë ndeshje të fundit dhe ashtu siç u paraqitëm denjësisht në ndeshjen e Kupës, edhe në këta 90 minutat e fundit të kampionatit besoj se kemi për të treguar forcën e vërtetë të Vllaznisë dhe besoj se në fund të asaj ndeshjeje, fati i titullit kampion do të na buzëqeshë neve.”
Stafi shkodran ndjek Tiranën në Kupë
Ndeshjen finale të Kupës mes Tiranës dhe Flamurtarit, zhvilluar pardje në “Niko Dovana” të Durrësit e kanë ndjekur, përveç të tjerëve, edhe pjesëtarë të stafit të Vllaznisë. Kështu, trajneri Haxhiosmanoviç, drejtori teknik Shaba dhe menaxheri Gjyrezi kanë qenë në tribunë në këtë takim për të parë jo thjesht finalen, por më tepër për të vëzhguar lojën e bardhebluve, sepse pas dy javësh ata do të ndeshen me ta në një ndeshje shumë të rëndësishme për titullin kampion. Fakti që në takimin gjysmëfinal të Kupës, Tirana i mundi, ka bëri që trajneri Haxhiosmanoviç ta vëzhgojë lojën e këtij ekipi ndaj Flamurtarit.
Komentet