Pasi kanë kaluar pa problem sfidën me Partizanin në kampionat, vëmendja e kuqebluve, tashmë është zhvendosur te takimi gjysmëfinale i Kupës së Shqipërisë, që do ta zhvillojnë të mërkurën ndaj Tiranës. Shumëkush e quan si një finale të parakohshme këtë ballafaqim mes këtyre dy klubeve, që në këtë sezon e kanë treguar veten si në Kupën e Shqipërisë, ashtu edhe në kampionat. Për presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, kjo është finalja e parë mes dy ekipeve, nga tri të tilla, që do të ketë ky sezon deri në fund.
“Me të vërtetë, ne e kemi mirëpritur një ballafaqim të tillë që në këtë tur të kupës, por unë do ta quaja një finale të parakohshme këtë përballje, - tha kreu i klubit shkodran. - Të dyja skuadrat kanë treguar se në këtë sezon janë më të mirat e tij, e për rrjedhojë ato mund t’i kishin diskutuar që të dy trofetë mes tyre, pra si në kampionat, edhe në kupë”, nënvizoi presidenti i kuqebluve. Më pas, Fushaj shtoi: “Për mendimin tim, na pret një përballje tepër e vështirë, pasi vlerat e kundërshtarit njihen mirë. Megjithatë, ne duhet të bëjmë të pamundurën. Impenjimi ynë duhet të jetë në maksimum dhe djemtë duhet të tregojnë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Përsa i përket pastaj rezultatit, në të tilla takime janë të pranueshme që të tria. Që do të thotë, ndeshjen le ta fitojë ekipi që tregon më të mirën në fushën e blertë. Gjithsesi, dua të theksoj se ne do të zbresim në fushë patjetër për të fituar. Ashtu siç do të bëjnë edhe kundërshtarët tanë. Pra, për mendimin tim gjithçka mbetet e hapur”.

Apeli
Drejtuesi numër një i klubit më të vjetër shqiptar, Valter Fushaj, duket se në këtë përballje nuk do vetëm maksimumin nga skuadra e tij, por edhe nga sportdashësit. Kështu, përmes gazetës “Panorama Sport”, ai kërkon që Vllaznia, e cila në këtë sezon po lufton me mjaft potencë, të mbështetet fuqishëm. Këtë gjë, presidenti shkodran e kërkon pikërisht në takimin me Tiranën. “Ne po përgatitemi për të bërë më të mirën, që këtë takim të parë ta kalojmë me sukses, për të pretenduar më pas të hedhim një hap përpara drejt finales në Shkodër. Por kësaj here, më tepër se kurrë, na duhet mbështetja e tifozerisë sonë të zjarrtë. Janë këta tifozë që na kanë mbështetur në çdo sfidë dhe ne nuk i kemi zhgënjyer, ndaj sot më shumë se asnjëherë tjetër kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Për këtë arsye i kemi marrë të gjitha masat, në mënyrë që dhe çmimet e biletave për këtë ndeshje të mos rriten, por të jenë të njëjta me ato të kampionatit”, bëri të ditur presidenti i klubit të Vllaznisë, Fushaj.

Ecuria
Drejtuesit e klubit janë të bindur se ndeshja me Tiranën të mërkurën nuk është asgjë më shumë se një përballje.
Gjatë këtij sezoni, kuqeblutë e bardheblutë kanë shifra të barabarta në dy përballjet mes tyre. Sepse dy barazimet,
0-0 dhe 1-1, flasin për një baraspeshë të plotë mes skuadrave. “Nga ky takim nuk është se do të varet gjithçka. Unë dhe ekipi jemi të mobilizuar deri në fund të këtij sezoni, për të arritur objektivat tanë madhorë. Çdo rezultat mund të ngjasë, por kjo nuk do të thotë se merr fund kupa, apo aq më tepër kampionati. Ne jemi të bindur për të dhënë më të mirën, që të mos zhgënjejmë në këtë sezon as veten dhe as sportdashësit tanë të mrekullueshëm”, përfundoi presidenti i ekipit shkodran, Valter Fushaj.