Presidenti Valter Fushaj kërkon gjykim ndërkombëtar për takimin e kthimit në Kupë Ethet e ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales të Kupës, asaj ndaj Tiranës, kanë filluar të ndihen së tepërmi në kampin shkodran. Për më tepër që rëndësia e saj është shumë e madhe, sepse mund të përcaktojë shumë gjëra edhe sa i takon të ardhmes së kampionatit. Duke e ditur rëndësinë e asaj ndeshjeje, drejtuesit e lartë të Vllaznisë kanë filluar të mendojnë për të gjitha detajet e kësaj ndeshjeje. Duke nisur nga problemi i gjyqtarit. Për presidentin Valter Fushaj, kjo është një çështje shumë delikate. Për këtë arsye, ai ka lëshuar propozimin për një gjyqtar të huaj në këtë finale të parakohshme të Kupës. “Në të vërtetë, duam të kemi besim te gjyqtarët tanë, por nga veprimet e tyre në fushë, nuk jemi shumë të bindur tek ata. Për këtë arsye, nisur nga niveli shumë i rëndësishëm i takimit të kthimit të Kupës ndaj Tiranës, i kemi bërë një kërkesë federatës sonë për gjyqtarë të huaj. Prania e tyre në këtë ndeshje është një garanci më tepër për Vllazninë, sepse të huajt besoj se nuk do të kenë ndikim për të favorizuar njërën apo tjetrën skuadër, por do të vendosin drejtësinë në fushën e lojës,” - ka thënë dje Fushaj. Për të shpjeguar arsyen kryesore pse klubi që ai drejton ka bërë këtë kërkesë në FSHF, kërkesë e cila do të mbërrijë edhe zyrtarisht në zyrat e saj, ndonëse kontaktet telefonike janë bërë që dje, numri një i klubit shkodran i ka shpjeguar më poshtë: “Jemi të detyruar ta bëjmë një kërkesë të tillë, pasi po e shohim se gjyqtarët tanë kanë shumë frikë të të japin një 11 metërsh, të nxjerrin një karton të kuq. Marr këtu si shembull gjyqtarin Sokol Çekaj. Me të dy klubet u ra dakord që ta gjykonte ai ndeshjen e parë gjysmëfinale. Për çudi, ai nuk e drejtoi ashtu siç duhet këtë ndeshje, teksa gjykimi i tij ka irrituar jo pak futbollistët, drejtuesit, por edhe tifozët tanë. Të paktën një futbollist i Tiranës në atë ndeshje duhej të kishte dalë me karton të kuq që në pjesën e parë. Nëse do të ndodhte kështu, kundër 10 vetave pastaj nuk i dihej, Vllaznia edhe mund të kishte fituar. Por Çekaj u duk se kishte frikë të nxirrte kartonin e kuq dhe kjo na bën që të jemi pak pesimistë për gjyqtarët tanë. Tashmë çdo gjë është në duart e federatës. Përvoja e gjyqtarëve të huaj në futbollin shqiptar nuk është e re, madje në dy raste ka qenë prezente edhe në sfidat Tirana Vllaznia. Por në të dy rastet e mëparshme, ata kanë gjykuar finalet e Kupës, si në vitin 2006, ashtu dhe sezonin e kaluar. Para tre vjetësh arbitroi italiani Farina dhe në atë finale fitoi Tirana 1 0, ndërsa në Elbasan majin e kaluar, gjermani Rafati dhe fitoi Vllaznia 2 0. Ende nuk është shumë e qartë nëse do të aprovohet apo jo kjo kërkesë e shkodranëve për gjyqtarë të huaj, por me siguri që krerët e futbollit shqiptar do të jenë dakord me këtë gjë. Problem tjetër është edhe kombësia e gjyqtarit që mund të vijë, teksa përflitet se mund të jetë italian, kroat apo maqedonas. Shkodranët preferojnë kroatë apo edhe sllovenë, megjithatë çdo gjë në lidhje me këtë çështje do të bëhet e ditur në ditët në vazhdim.
Fushaj: Gjyqtar? t? huaj p?r Tirana-Vllaznia
Presidenti Valter Fushaj k?rkon gjykim nd?rkomb?tar p?r takimin e kthimit n? Kup?
Komentet