Sulmuesi shkodran është rikuperuar dhe pritet të jetë një pikë e rëndësishme në ekip

Ka luajtur shumë pak në këtë sezon. Vetëm në 5 takime dhe asnjërin prej tyre të plotë. Fati i keq nuk i është ndarë futbollistit shkodran Albert Kaçi. Dëmtimet e njëpasnjëshme i kanë privuar të drejtën të luajë dhe të kontribuojë për skuadrën e tij, megjithëse ajo kishte nevojë për të.

Por tani duket se këto probleme janë lënë një herë e mirë prapa dhe lojtari është duke u stërvitur me grupin. Ai duket optimist për një rikthim në formën e tij më të mirë në fund të muajit, atëherë kur rinis kampionati. “Kam filluar të stërvitem me grupin.

Sigurisht që jam duke u munduar që në këto ditët e para të bëj shumë kujdes, në mënyrë që të mos e nis me vrull, sepse mund ta pësoj më keq. Duke qenë se tashmë kampionati është ndërprerë dhe kemi edhe tri javë në dispozicion për t’u përgatitur për të, mendoj se kur të nisin ndeshjet do të jem gati për të luajtur me Vllazninë,” ka thënë mesfushori me tipare sulmuese i kuqebluve.

Në këtë mënyrë, për trajnerin Canaj duket se ky është një lajm shumë i mirë, sepse do ketë një lojtar tjetër të rëndësishëm në dispozicion. Fakti që ai ka munguar në pjesën më të madhe të ndeshjeve të deritanishme të këtij sezoni, tregon se ai fare mirë mund të konsiderohet një “blerje e re” e Vllaznisë në merkaton e janarit.

Madje vetë Kaçit i pëlqen ky përcaktim që i bëjmë, prandaj shton: “Vërtet mund ta quani ashtu. Kjo sepse nga gushti dhe deri në fund të dhjetorit kam luajtur shumë pak, duke mos pasur mundësi të kontribuoj shumë për skuadrën.

Tashmë gjërat në këtë rikthim timin besoj se do të jenë më ndryshe dhe, meqë ky rikthim përkon me janarin, periudhë kur bëhen ardhjet e reja të lojtarëve, besoj se mund të quhem blerja e parë e Vllaznisë.” 27-vjeçari shkodran, si asnjëherë tjetër ndoshta më parë në karrierën e tij, ka munguar kaq gjatë në ndeshje.

Fillimisht në prag të ndeshjes me Napolin u dëmtua në thembër dhe kur u duk se e la pas atë dëmtim, pësoi një tjetër, që do ta linte jashtë fushave të blerta edhe për disa javë. Për të mbërritur pastaj te dëmtimi i tretë në ligamentet e gjurit, i cili i hoqi mundësinë e aktivizimit deri në fund të dhjetorit.

Vetë Kaçi thekson se ka kaluar një periudhë aspak të lehtë, prandaj shpreson që tani e tutje këto probleme të lihen pas një herë e mirë. “Ka qenë shumë e vështirë për mua të kaloja një periudhë të tillë pa futboll, sepse nuk kam pasur dëmtime të tilla më parë.

Prandaj shpresoj që tani e tutje të jap kontributin tim maksimal për Vllazninë, në mënyrë që ajo të arrijë objektivin e saj për të ruajtur vendin e parë dhe për të dalë kampion,” ka thënë në fund Albert Kaçi. Mungesa e këtij lojtari në fakt është ndier jo pak te kjo skuadër, sepse falë aftësive që ai disponon, është një futbollist që gjithnjë krijon rrezikshmëri për kundërshtarin.