Vllaznia nuk i bëri një mbyllje aspak të mirë vitit 2008. Humbja me Dinamon në ditët e fundit të dhjetorit sikur e zbehu pak atë sukses të shkodranëve në ndeshjet e fundit të saj. Për rrjedhojë, edhe ai entuziazëm që kishte filluar të ishte prezent te të gjithë tifozët para asaj ndeshjeje sikur u zbeh paksa.

Ndërprerja e kampionatit ndërkohë u ka dhënë mundësinë të gjitha ekipeve jo vetëm të pushojnë e të rregullojnë gabimet e konstatuara në 17 javë kampionat, por edhe të ndërhyjnë në merkato për të plotësuar radhët e tyre me lojtarët që mungojnë.

Pavarësisht disfatës me Dinamon, njëri prej pjesëtarëve të stafit drejtues të Vllaznisë, pikërisht trajneri i portierëve, Paulin Ndoja, e quan sukses paraqitjen e kësaj skuadre në periudhën nga gushti në dhjetor. “Pavarësisht asaj humbjeje me Dinamon, sigurisht që duhet të themi se ecuria e skuadrës sonë ka qenë e shkëlqyer.

Mbase shumëkush nuk do ta kishte menduar se tani do të ishim në vend të parë dhe të shkëputur katër pikë nga vendi i dytë. Sigurisht që edhe unë e kam të qartë se po të ishin 7 pikë para do të ishte më mirë, por mendimi im është se nuk duhet ta dramatizojmë shumë atë humbje.

Dinamo është një skuadër shumë e fortë, kampione në fuqi dhe ndaj një kundërshtari të tillë nuk është çudi as të humbasësh, ashtu siç shkojmë ne për të fituar ndaj saj në Tiranë. Por edhe në kushtet aktuale që jemi, duhet të kënaqemi me ecurinë që kemi pasur, nisur nga problemet e shumta që kemi pasur në lidhje me dëmtimet e shumta të lojtarëve,” ka thënë legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja.

Duke u ndalur te dëmtimet, ai flet menjëherë edhe për problemin e merkatos së Vllaznisë, tashmë që ajo është hapur. Njeriu që punon krah Canajt nuk është i mendimit se skuadra duhet të bëjë shumë ndryshime, prandaj shton: “Tashmë çdo gjë është në dorën e presidencës, sepse ajo po vepron për të sjellë në skuadër lojtarë cilësorë.

Mendimi im është se Beqiri duhet të mbetet te Vllaznia. Po ashtu, shpresoj shumë te rikthimi i Sinanit në ditët e tij më të mira, që është një forcë shumë e rëndësishme për skuadrën. Pa lënë mënjanë edhe Kaçin, një tjetër lojtar që mendoj se do të na bëjë shumë punë në vazhdim të kampionatit.

Me këto forca dhe me një apo dy lojtarë që mund të marrim në merkato, besoj se skuadra do jetë e plotë për të ruajtur pozicionin aktual në renditje.” Po si e sheh Ndoja vazhdimin e mëtejshëm të kampionatit? Mjeshtri i portës shkodrane nuk ngutet në parashikimet e tij.

Përkundrazi, duke menduar se është vetëm gjysma e rrugës, nuk dëshiron të mendojë se Vllaznia do ta rinisë kampionatin me avantazh pikësh ndaj rivalëve të saj. “Kemi bërë gjysmën e punës. Duke qenë kështu, unë personalisht mendoj se nuk duhet të gjykojmë fare mbi faktin se jemi 4 pikë larg të tjerëve. Unë nuk i llogaris fare ato pikë.

Duhet të mendojmë sikur më 31 janar, kur nis kampionati, ne jemi me pikë të barabarta me Tiranën, Dinamon, Besën dhe gjithë skuadrat e tjera. Vetëm kështu mund të arrijmë suksesin,” ka thënë Paulin Ndoja në fund.

Vllaznia heq dorë nga sulmuesi serb

Ekipi shkodran duket se nuk ka ndër mend më të kërkojë shërbimin e sulmuesit serb që pati planifikuar. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit. Thonë se arsyeja kryesore ka qenë një lëkundje e vetë lojtarit për të ardhur në Shqipëri dhe për këtë arsye ka qenë presidenti Fushaj ai që ka vendosur të heqë dorë nga një lojtar i tillë. Ndoshta kjo ka ardhur edhe ngaqë shkodranët besojnë shumë te sulmuesi ganez, që pritet të mbërrijë në ditët në vazhdim.

Rikardo Faccin, braziliani që pritet

Zbulohet emri i futbollistit brazilian që pritet të bashkohet në ditët e ardhshme me Vllazninë. Quhet Rikardo Faccin, është i datëlindjes 1983, i lartë 1.84 m dhe peshon 75 kg.

Nga të dhënat e tjera që mësohen për të, thuhet se ai ka luajtur në superligën braziliane dhe për pasojë duket se do të jetë një futbollist mjaft i vlefshëm për Vllazninë.

Faccin pritet të mbërrijë në Ulqin, ku do bashkohet me ekipin në stërvitje më 10 janar dhe do testohet për disa ditë nga trajneri Canaj.

Komentet