Malazezi Nikolla Vukçeviç, pjesë e Buduçnostit, mund të rikthehet që në janar në Shkodër

Ka luajtur në sezonin 2006 07 me Vllazninë dhe ka lënë një përshtypje shumë të mirë te të gjithë në Shkodër. Nikolla Vukçeviç, futbollisti malazez që luan në repartin e mbrojtjes, ka lëshuar sinjalet e tij. “Mund të vij të luaj që në janar për ju, nëse jeni ende të interesuar për mua,” mësohet të ketë thënë 23-vjeçari nga Podgorica. Lojtari, i cili është aktualisht pjesë e skuadrës më të mirë të Malit të Zi, Buduçnostit, duket se është gati në fund të kontratës me këtë ekip. Për këtë arsye, është gati të gjejë një ekip tjetër. Ofertat nga kampionati shqiptar kanë filluar të shkojnë në adresë të tij dhe këtë e konfirmon vetë lojtari, por Vukçeviç është shumë më i interesuar për një ofertë të mundshme të shkodranëve. Kjo ngaqë në qytetin më të madh verior të Shqipërisë, ai ia ka kaluar shumë mirë, duke lënë një përshtypje të mirë te të gjithë. Madje presidenti Fushaj donte ta mbante edhe në sezonin e shkuar, por mbrojtësi shtatlartë kishte ardhur te Vllaznia në formë huazimi dhe për rrjedhojë Buduçnosti nuk e lejonte të luante më tej për kuqeblutë. Vukçeviç është kandidat edhe i ekipit kombëtar të Malit të Zi dhe njëkohësisht një nga pikat më të forta të ekipit të Buduçnostit. Një konfirmim i tillë i dëshirës së lojtarit për të ardhur sërish te skuadra shkodrane, vjen në momentin e duhur me sa duket edhe për këtë të fundit. Kjo ngaqë prej ditësh drejtuesit e Vllaznisë janë hedhur në merkato për të gjetur një lojtar të repartit të mbrojtjes, duke menduar largimin e mundshëm të Elvin Beqirit. Janë përfolur emrat e Nevil Dedes apo të grekut Anifandacis, madje ky i fundit u provua disa ditë te kjo skuadër. Por duket se më shumë se të dy ata lojtarë, tashmë është pista “Vukçeviç” ajo që del në skenë. Kjo për shumë arsye, mbi të gjitha, sepse është një lojtar që ka luajtur edhe më parë me këtë skuadër dhe e njeh mirë ambientin. Në sezonin 2006 07 ka luajtur në “Loro Boriçi”, duke zhvilluar 25 ndeshje, teksa ka shënuar edhe 2 gola. Malazezët në fakt gjithnjë kanë qenë të mirëpritur në Shkodër dhe për këtë arsye vetë Vukçeviç duket se ka dëshirë të kthehet sërish, ndonëse, siç ka thënë edhe vetë, ka edhe oferta të tjera nga kampionati shqiptar. Tashmë duket se çdo gjë është në dorën e presidentit Fushaj për të vendosur për këtë lëvizje. Nikolla Vukçeviç është shprehur i gatshëm për të ardhur. Lëvizja varet vetëm nga oferta financiare e klubit “Vllaznia” dhe e presidentit të saj. E rëndësishme është që një lëvizje e tillë do ta kompletonte skuadrën në repartin e mbrojtjes, duke e mbyllur merkaton për këtë rol.

Komentet