Këtë shprehje thuhet ta ketë përdorur jo vetëm një herë trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, gjatë pragndeshjes me Dinamon. Ai i ka porositur shumë futbollistët e tij për të mos nënvlerësuar aspak ndeshjen me kundërshtarin e tyre të radhës. Për këtë arsye, numri një i stolit shkodran mësohet të ketë përdorur edhe nofkën "Nëndetëse", me të cilin njihet zakonisht skuadra blu.

"Dinamo është vërtet nëndetëse, unë e njoh mirë dhe për asnjë moment nuk duhet ta nënvlerësojmë,"u ka thënë ai futbollistëve të tij. Canaj në fakt e njeh më mirë se shumëkush tjetër këtë skuadër, tek e cila ka punuar për vite e vite të tëra, qoftë si futbollist, por edhe si trajner. Kjo skuadër në pamje të parë asnjëherë nuk është e frikshme, por kur përballesh me të, sigurisht që del më e vështirë. Sidomos blutë janë të frikshëm në ndeshjet e tyre jashtë Tiranës, ku arrijnë t'i zgjidhin më me lehtësi gjërat sesa në kryeqytet.

Kjo u pa tek ata edhe në ndeshjen e fundit ndaj Lushnjës, kur fituan vetëm në minutën e fundit. Në Shkodër duket se e njohin mirë këtë kundërshtar. Jo vetëm nga trajneri Canaj, por edhe nga Dhëmbi, lojtar që është shpallur kampion me këtë skuadër. Ky i fundit ndërkohë ka qenë njeriu që i shënoi Dinamos në ndeshjen e fazës së parë, ndeshje që u mbyll në barazim 1 1. Porosia e Canajt ndërkohë duket se e ka një bazë.
 
E cila konsiston në faktin se prej ditësh në qytetin më të madh verior të vendit kanë nisur përgatitjet për ta kthyer këtë takim të nesërm në një festë të vërtetë. Fishekzjarre, muzikë, shumë tifozë, maskotë e shumë gjëra të tjera, kanë të bëjnë vetëm me anën e jashtme të përgatitjeve për këtë ndeshje. Por asnjëra prej tyre nuk do të kishin vlerë nëse Vllaznia do ta prishte këtë festë, pra duke mos fituar. Pavarësisht se shkodranët tashmë e kanë fituar titullin simbolik të "kampionit të dimrit", të gjithë duan që ky sukses ta linte skuadrën deri në fund të janarit me diferencën e 7 pikëve nga kundërshtari më i afërt.

Detyrën për këtë e ka marrë Canaj dhe futbollistët. Do të jenë ata që do t'u duhet ta hedhin me sukses edhe ndaj këtij kundërshtari, për ta çuar njëkohësisht në 10 numrin e ndeshjeve pa humbje. Ish trajneri i bluve sezonin e shkuar, tashmë në stolin e Vllaznisë, është një arsye më tepër pse kuqeblutë duhet të fitojnë. Ashtu siç është fakti tjetër, se plot 6 futbollistë aktualë të Dinamos ia njohin mirë taktikat Canajt. Se kush do fitojë këtë radhë, kjo mbetet për t'u parë, sepse Vllaznia nuk është vetëm Canaj, por është edhe një Sinan, Dhëmb, Boadu e të tjerë lojtarë cilësorë që dinë të mundin çdo kundërshtar.

Komentet