Pas fitores së arritur në Lushnje dhe pas humbjes së Tiranës kryesuese, sipas teknikut Canaj, tashmë kampionati është futur në një fazë mjaft interesante. Java që shkoi ka folur e gjitha për shkodranët dhe duket se ka kthyer pranë tyre besimin se, objektivi që kanë është i arritshëm. “Fitorja jonë me Lushnjën dhe humbja e Tiranës në Elbasan kanë rihapur kampionatin. Kuqeblutë kanë objektiv që, së pari të jenë mes pretendentëve dhe më pas të të kërkojnë majën e tabelës, - shprehet fillimisht Canaj. - Ne ishim përgatitur që në Lushnje të merrnim rezultatin më të mirë të mundshëm dhe këtë ia arritëm më së miri. Nuk e konsideruam ndeshje të lehtë dhe mendoj se e merituam plotësisht fitoren, të cilën e arritëm që në 20 minutat e para. Më pas, në pjesën tjetër të lojës gjithçka e patëm më të lehtë. Kemi bërë një hap përpara, por përsëri takimi me Teutën mbetet vendimtar”, shprehet tekniku Canaj. Gjendja Rezultatet pozitive si me Elbasanin, ashtu edhe me Lushnjën kanë bërë që gjendja e kuqebluve, sidomos në aspektin psikologjik, të jetë optimale. Për këtë shprehet edhe vetë tekniku i ekipit shkodran, Canaj, i cili konstaton rezultatet pozitive kanë kthyer klimën e besimit dhe të optimizmit në skuadër. Megjithatë, kërkohet që në përballje të tilla ekipi të ruhet nga euforia, pasi jo rrallëherë shkodranët janë ndëshkuar nga kjo ndjenjë. “Tek ekipi im pas këtyre takimeve rezultative shoh rritje të ndjeshme të optimizmit. Ky është një fakt që duhet vlerësuar pozitivisht”, thekson tekniku. Takimi Pas përfundimit të takimit me Lushnjën, e gjithë vëmendja e drejtuesve kuqeblu është fokusuar te përballja e fundjavës me Teutën, që për shkodranët është një test përsa i përket vazhdimësisë në këtë sezon. Pavarësisht mungesave, kuqeblutë i kanë të gjitha mundësitë për ta mbyllur në më të mirën e mundshme fazën e parë të kampionatit. Megjithatë, asgjë nuk mund të quhet e lehtë për t’u kaluar, sepse durrsakët çdo sezon kanë rezervuar surpriza jo të këndshme për kuqeblutë në “Loro Boriçi”. “Duhet vlerësuar maksimalisht ekipi i Teutës, pasi nuk janë rastësi pikët që ka grumbulluar deri tani. Durrsakët jo rrallëherë i kanë krijuar probleme ekipit tonë edhe në Shkodër. Ne duhet ta vlerësojmë drejt këtë takim dhe të marrim prej tij vetëm maksimumin, për të vazhduar rrugën tonë drejt objektivit. Duhet të punojmë shumë për të gjetur mënyrën e duhur për të çarë mbrojtjen e “djemve të detit”. Ne e dimë që ky ekip do të vijë në Shkodër për t’u mbrojtur fort dhe për të na goditur në befasi, për këtë duhet të jemi të përgatitur”, përfundon tekniku i ekipit kuqeblu, Agim Canaj.

 

Panorama Sport

Komentet