Përgatitjet e ekipit të Vllaznisë për takimin e  radhës me Teutën janë futur në fazën finale të tyre. Tekniku Canaj jo vetëm që ka menduar për lojtarët që do të zbresin në fushën e blertë në këtë përballje, por ka menduar gjithashtu, edhe për të gjetur rrugën e duhur që do ta çojë këtë ekip drejt suksesit në këtë takim. Tekniku vlonjat gjatë seancës stërvitore në të cilën ka zhvilluar një takim me dy porta mes ekipit të tij, ka përgatitur një skemë ndryshe, për të kaluar me sukses këtë përballje të radhës të kuqebluve. Në këtë seancë, tekniku e ka provuar ekipin e tij me dy skemat, të cilat mund t’i përdorë në ndeshjen e ardhshme. Të paktën nga ajo që u paraqit në atë seancë stërvitore, skuadra i ka të gjitha mundësitë për të pasur një reshtim me tre mbrojtës, katër mesfushorë dhe tre sulmues, ku ndër ta, Sinani do të jetë më përpara.

Taktikat
Ndoshta kjo mund të jetë taktika e duhur për të çarë mbrojtjen e “djemve të detit” në këtë përballje. Megjithatë, tekniku ka provuar edhe rreshtimin klasik me 4-4-2, të cilin e ka përdorur që nga fillimi i sezonit. Nisur nga ajo që ekipi paraqiti në këtë seancë stërvitore, më pranë zbatimit mbetet skema 3-4-3. Problem për teknikun Canaj, ndoshta nuk ka qenë skema e lojës, por mungesat e tre prej lojtarëve titullarë të këtij ekipi. Mungesën e lojtarëve të dënuar dhe të dëmtuar, tekniku duket se do ta zgjidhë me lojtarët me eksperiencë që ka në stol.

Formacioni
Tekniku Canaj mendohet që të hedhë në fushën e lojës që nga minuta e parë Osjen dhe Hotin. Të dy këta lojtarë kanë qenë pjesë e pandarë e formacioneve të ekipit kuqeblu në këtë sezon. Megjithatë, për të parën herë në këtë sezon, futbollistwt do tw provojnë role të reja në fushën e blertë, të cilat nuk është se i kanë të panjohura.
Nga sa mësohet treshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Beqiri në të djathtë, ndërsa Lici kthehet për të parën herë në rolin e një mbrojtësi të qendrës në këtë sezon, rol të cilin e ka luajtur thuajse në gjithë sezonin e shkuar jashtëzakonisht mirë. Ndërsa Belisha do të lërë përsëri mesfushën dhe do të kalojë në të majtë të mbrojtjes. Lezhjani Smajli do të spostohet nga e djathta në të majtë të mesfushës, ndërsa vendin e tij në krahun e djathtë do ta luajë Hoti. Dyshja e qendrës do të jetë një dyshe me shumë eksperiencë si Osja e Nallbani.

Ndryshimet
Në këtë takim ndryshimi do të jetë në vijën e sulmit. Përkrah Sinanit nuk do të jetë vetëm Dhëmbi, por edhe ganezi Boadu. Kuqeblutë, të cilët kërkojnë të tretën fitore radhazi për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë kësaj faze, lojën me tre sulmues e shikojnë si mundësinë më të mirë për t’ia arritur qëllimit. Kësaj here tekniku Canaj kërkon të rrezikojë gjithçka për të arritur fitoren. Zgjedhja e këtij moduli loje nga ana e teknikut vlonjat të kuqebluve ka të vetmin qëllim, zhbllokimin sa më të shpejtë të rezultatit, që pastaj gjithçka të luhet më lirshëm dhe larg presionit, që mund të vijë nga mungesa e golit.

Panorama Sport

Komentet