I evidentuar si një nga talentet më të spikatura të futbollit shqiptar, me atë debutim të paharrueshëm në mars të vitit 2003 në “Loro Boriçi”, përballë Rusisë, ku kuqezinjtë fituan 3-1, shkodrani Elvin Beqiri do të vijonte të ishte titullar në formacionin e kombëtares. Ka luajtur me sukses në kampionatin ukrainas, me Metalurg të Donetskut, por një dëmtim i rëndë e largoi nga fusha dhe kombëtarja. Por, falë një pune këmbëngulëse rikuperuese dhe stërvitore te Vllaznia, me të cilën u ribashkua pas largimit nga Ukraina, Beqiri fiton vendin e titullarit te kuqeblutë, por tani është ribërë edhe pjesë e kombëtares. Loja e shkodranit ka spikatur edhe në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit, pas së cilës holandezi Ari Han vendosi ta merrte në grupin e tij. Kësisoj, përpos kënaqësisë së fitores ndaj Partizanit, Elvin Beqiri gëzon edhe grumbullimin me kombëtaren. Dy gëzime në një ditë, që ai i ka ndarë me shokët e skuadrës dhe miqtë e tij më të afërt.

“Do ta justifikoj”

“Me ritmin, që po ecja nga ndeshja në ndeshje, sidomos në këtë sezon, kisha besim se një ditë do të rifitoja të drejtën të rikthehesha në kombëtare. Tani, që m’u bë ftesa zyrtare, jam shumë i kënaqur që ia arrita kësaj dite”, pohon Beqiri, duke bërë të ditur se, që nga dje në mesditë, është vënë në dispozicion të trajnerit Han. I pyetur, nëse pas kësaj ftese në kombëtare shikohet ndonjë “dritë jeshile” për aktivizim në ndeshjen me Suedinë, apo me Maltën, Beqiri thotë se “e rëndësishme është që unë u riktheva, mandej të tjerat i di trajneri”. “Megjithatë, - vijon mbrojtësi, - unë do të thoja se jam i gatshëm të kontribuoj. Nëse do të më besohet një gjë e tillë, të jeni të sigurt që do ta justifikoj”.

Fitorja me Partizanin, e merituar

Natyrisht, përpos emocioneve për ftesën në kombëtare, Elvini do të fliste edhe për ndeshjen e së dielës, kur në “Qemal Stafa” skuadra e tij mundi Partizanin. “Mendoj se e merituam fitoren dhe ky trepikësh është shumë i rëndësishëm për ne, pasi ka ardhur në momentin më të duhur”, thotë për “Sport Ekspres” Elvin Beqiri, duke qenë i bindur se kuqeblutë kanë luajtur më mirë se kundërshtari. Beqiri pranon se përpara ndeshjes situata nuk ka qenë dhe aq e mirë, sidomos në aspektin fizik, pasi skuadra ka qenë e detyruar të zhvillojë pesë ndeshje në dy javë. Sipas tij, trepikëshi i fituar ndaj “demave” ka krijuar një klimë shumë pozitive në skuadrën kuqeblu, si në stafin teknik, ashtu dhe te futbollistët. “Jemi të ndërgjegjshëm se probleme ka në skuadër, çka u pa edhe në pjesën e dytë ndaj Partizanit, kur loja e jonë sikr ra pak, duke i dhënë shanse kundërshtarit të organizohet. Megjithatë, gjatë dy javëve të ndërprerjes, edhe pse unë do të jem në kombëtare, kam besim që shumë gjëra do të rregullohen dhe Vllaznia do të ecë e sigurt drejt objektivit që ka marrë, titullit kampion”, ka përfunduar për “Sport Ekpres”, Elvin Beqiri.

Sport Ekspres

Komentet