E diele 31 Gusht 2008, Stadiumi "Qemal Stafa", Tirane


 Partizani - Vllaznia


1 - 2

Shenues: Karapici 62' / Sinani 23' , Dhembi 52'



Partizani:

Shehi, Hallaçi, Pinari, Malota, Tafaj, Kalari, Capa, Babamusta (59’ Përlleshi), Gjyla, Karapici, Ngjela (46’ Bakaj (70’ Karabeci)) Trajner: H. Lika

Vllaznia:

 Grima, Smajli, Lici, Bashiç, Sinani (81’ Hoti), Kaçi (40’ Osja), Beqiri, Bodua, Nallbani, Dhëmbi, Belisha (59’ Doçi) Trajner: A. Canaj

Kartone te verdhë : Malota, Gjyla / Beqiri, Nallbani, Belisha

Kartone të kuq : Hasan Lika

Gjyqtarë : B. Pashaj, S. Avdo, E. Biçaku(Tiranë)


Radiografia:

3’ Godije e fortë e Sinanit, pas një asisti të Kaçit, në pozicion diagonal me portën e Shehit, por topi përfundon jashtë.

4’ Përsëri Sinani, këtë herë, në një pozicion ballor me portën e Parizanit ka goditur, por shumë lehtë, dhe Shehi ka pritur, duke evituar rrezikun.

11’ Ngjela shënon për Partizanin, por më parë është ngritur flamuri i vijërojtësit, për pozicion jashtë loje.

21’ Kundërsulm i Vllaznisë, Kaçi arrin të depërtojë në zonën e “demave”, por, në momentin e fundit, Gjyla ia ka hequr topin nga këmba, duke e çuar në goditje këndi.

23’ Kaçi kroson në zonën e Partizanit, atje ku Sinani, pasi kontrollon, përballë me Shehin gjuan dhe shënon. 1-0 për Vllazninë.

30’ Sinani ka ekzekutuar një goditje këndi, në pozicion diagonal meportën e Shehit, “gardiani” i të kuqve ka pritur me vështirësi topin e fortë.

47’ Krosim i Hallaçit në zonën shkodrane, por topi devijohet dhe pret Grima.

48’ Bodua nuk ndalet përpara asgjëje. Ndërmerr një inkursion personal, dhe pasi i del deri në kufitjtë e zonës së Partizanit, preferon t’ia japë Dhëmbit, i cili gabon dhe jashtë.

50’ Babamusta nxjerr Karapicin të vetëm me Grimën, por gjuajtja e mesfushorit është e lehtë dhe përfundon jashtë.

52’ Gabim i Babamustës në mesfushë, Dhëmbi rikuperon dhe pason për Sinanin, ky i fundit ka pritur sa korçari të futej në zonën e të kuqve, ka pasuar për të dhe Dhëmbi godet fort duke shënuar. 2-0 për shkodranët.

58’ Gabim i mbrojtjes së Partizanit; Boadu jep një asist për Sinanin, pasi ka rikuperuar, por goditja e sulmuesit pritet nga Shehi.

62’ Bakaj kroson në zonën shkodrane, atje ku largon Bashiç, topi shkon në këmbët e Karapicit, i cili godet nga një distancë prej rreth 19 metrash dhe topi përfundon në rrjetë. 1-2.

69’ Goditje e fortë e Capës nga larg, duke dashur të imitojë Karapicin, por jashtë ngjitur me shtyllën.

88’ Karabeci ekzekuton një goditje dënimi, por topi përfundon jashtë sipër traut.

Komenti:

Humbet Partizani. Pas fitores së javës së parë, në Lushnjë, të gjithë menduan se të kuqtë i kishin lënë pas shpine problemet e tyre, por ndeshja e djeshme me Vllazninë tregoi edhe njëherë se një skuadër nuk mund të bëhet brenda një dite, aq më tepër një skuadër që pretendon vendin e parë. Skuadra e Likës, jo vetëm u mund nga Vllaznia, por dje tregoi se përfundimisht grupi i lojtarëve nuk është i denjë që të konkurojë në “tregun” e kategorisë superiore. “Mungoi eksperienca”, ka thënë Lika pas ndeshjes dhe kjo u pa më së miri në fushë. Me një formacion të “arnuar”, ku mungonte Bakaj dhe Shala (të dy të dëmtuar) që nga minuta e pare, Lika kishte bërë maksimumin për t’I movituar të tijtë, por kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi dot një Ngjelë i vetëm në sulm dhe Capa nuk e bënte dot “Bakajn” në mënyrën e duhur. i vetmi që i jepte impuls lojës së “demave” ishte Karapici, por edhe ai u lodh duke rekuperuar dhe nisur aksione që në fund të fundit s’përfundonin askund. Nga ana tjetër Canaj kishte vetëm lluksin e zgjedhjes. Me një Beqiri dhje Lici në superformë dhe një Buado me shumë pak lidhje me kampionatin shqiptar, që shërbente Sinanin dhe Dhëmbin atje përpara, Vllaznia që në letër ishte e avantazhuar. Dhe ndeshja tregoi pikërisht këtë, skuadra që kishte më shumë futbollistë eksperience arriti rezultatin. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për shkodranët dhe asnjë goditje në portë për Partizanin. Në pjesën e dytë Lika hedh në fushë edhe “asin nën mëngë”, Bakajn. Gjërat nisin të ndryshojnë por Dhëmbi si një ish tregon se gjithmonë kur është transferuar në ndeshjen e parë ndaj ish skuadrës së tij ka shënuar dhe këtë herë bën të njëjtën gjë. Madje gëzon pas golit. Bakaj mundohet të bëjë gjithçka vetë dhe deri diku ia arrin. Krosimet e tij janë vdekjeprurëse, por shumica e tyre përfundojnë në kokat e mbrojtësve shkodranë. Dhe pikërisht në njëri nga këto harkime të larguar nga mbrojtja kuqeblu përfundon në këmbët e Karapicit, i cili shënon një supergol dhe ngushton diferencën. 1-2 dhe Partizani nis të besojë tek barazimi. Por ndërhyrja e Doçit ndaj Bakajt ia pret këtë “ëndërr”. Sulmuesi dëmtohet dhe detyrohet të zëvendësohet. Ndihmësi i Likës, Gëzdari, nuk duron dot më padrejtësitë e Pashajt dhe i kërkon llogari, por gjyqtari e nxjerr jashtë. Loja nis e bëhet shumë e tensionuar, aq sa, për të parë një aksion pa faull, duhej të prisje deri në vërshëllimën finale të Pashajt. Likën nuk e mban më vendi dhe nis ashtu si kolegu i tij Gëzdari të debatojë ashpër me Pashajn, teksa ky i fundit e nxjerr edhe atë jashtë, në të 88’. Por Lika qëndron edhe paksa në pistën e tartanit, duke udhëzuar të tijtë. Përfundimi? Partizani humb betejën me gjithkënd, teksa Vllaznia merr tre pikë të rëndsishme. Edhe dy javë Canaj do të flerë i qetë.

Hasan Lika, trajner i Partizanit:

“Në radhë të parë uroj Vllazninë për fitoren që arriti. Zhvilluam një pjesë të parë shumë te keqe dhe të dobët dhe kjo solli edhe golin e Sinanit. Skuadra kishte probleme, qoftë nga mungesat, qoftë edhe nga fakti se kemi shumë lojtarë të rinj, të cilët duhet të ambientohen ende me skuadrën. Ata nuk arritën dot që të kombinonin me njëri-tjetrin dhe në shumë raste, edhe kur paraqiteshin në portën kundërshtare kishte probleme në manovër. Pra, çaluam me plot fjalën. Aktivizimi i Bakajt në pjesën e dytë solli edhe një lloj impulsi më shumë, por ju e patë që ai u dëmtua sërish dhe këtë shpresojmë jo më keq se herën e parë. Në pjesën e dytë arritëm të merrnim në dorë frenat e lojës dhe Vllaznia nisi të mbronte rezultatin. Por, dëshira e madhe për të barazuar sa më shpejt dhe mungesa e eksperiencës tek lojtarët e mi bënë që të mos arrinim rezultatin. Gjykimi? Nuk po them se ndikoi në rezultat, do të isha i marrë. Për mendimin tim Pashaj nuk arriti të gjykonte dot këtë ndeshje. Gabime amatore të tij sollën edhe nervozizmin në stolin tonë dhe në fushë. Unë jam për atë që gjyqtarët duhet të ndihmojnë ndeshjen të luhet sa më drejt dhe mos të favorizojnë, as Partizanin, e as ndonjë skuadër tjetër

Agim Canaj, trajner i Vllaznisë :

“Arritëm një fitore mëse të merituar dhe i përgëzoj lojtarët për këtë. Vinim në këtë ndeshje shumë të lodhur. Jo vetëm kemi luajtur 90 minuta ndaj Napolit, në “San Paolo” të enjten, por kemi bërë dy ditë rrugë shumë rraskapitëse dhe, pavarësisht kësaj, lojtarët e mi treguan forcë karakteri, duke arritur të fitonin një ndeshje të fortë, edhe në transfertë. Në pjesën e parë kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë, ndërsa, në të dytën kemi rënë fizikisht, si pasojë e lodhjes. Në këtë pjesë duhet të jemi realistë Partizani luajti shumë më mirë dhe na rrezikoi. Arriti të shënonte një gol shumë të bukur, por mund edhe të shënonte një tjetër dhe të na barazonte. Pra, gjithçka ishte e hapur mendoj unë deri në minutat e fundit. Megjihatë, kemi arritur një trepikësh shumë me vlera dhe kjo është e rëndësishme”.


Sport Ekspres

Komentet