I cilësuar si një ndër më të mirët e ndeshjes së parë me Koper, mesfushori sulmues ka besim të plotë për kalimin e turit të parë të kupës UEFA, duke e quajtur kualifikimin detyrë.

Një javë përpara sfidës së dytë me skuadrën sllovene Koper, titullari i kuqebluve, Albert Kaçi, shfaqet entuziast për kalimin e turit të parë të kupës UEFA. Fitorja 2-1 në transfertën e Nova Goricës, përballë Koperit, ka krijuar një klimë shumë optimiste në skuadrën shkodrane, gjë që nuk është e vështirë të kuptohet sa herë që komunikon me futbollistë të saj. Njëri prej tyre është Albert Kaçi, i cili në ndeshjen e parë u cilësua si një prej futbollistëve më të mirë të formacionit kuqeblu. Mungesa në vijën e parë e goleadorit Sinani ka bërë që Kaçi të luante për disa ndeshje si sulmues i avancuar, përkrah Xhevahir Sukajt. Suksesi i kësaj dysheje ishte kulminant në finalen e kupës së Shqipërisë, me atë fitore historike që shkodranët realizuan ndaj Tiranës në “Ruzhdi Bizhuta”. Mungesa e Sinanit edhe për ndeshjet e kupës UEFA-s, e detyroi Canajn të projektonte këtë dyshe në majë të sulmit shkodran. Në ballafaqimin e parë të kompeticionit europian të UEFA?s, në Nova Gorica, përballë NK Koper, si një ndeshje transferte, Vllaznia preferoi të luante taktikisht me një sulmues të avancuar, duke pasur prapa në mbështetje të fuqishme dyshen Kaçi?Lika. Ishte një rreshtim mjaft i studiuar nga tekniku Canaj, që duke e vënë nën presion skuadrën vendase nuk vonoi të japë rezultatin e dëshiruar, falë avantazhit të shpejtë të kuqebluve me golat spektakolarë të Sukajt, pa folur për rastet e tjera për shënim.

Edhe në Shkodër, fitore

Teksa bisedojmë me Kaçin për ndeshjen e 31 korrikut, në stadiumin “Loro Boriçi”, ai shprehet me tone optimiste se fitoren Vllaznia do ta arrijë edhe në në “shtëpi”. “Unë mendoj se kalimi i këtij turi për ekipin tonë është vetëm detyrë”, thotë Berti. Më shumë se dëshira për të arritur objektivin, që i kanë vënë vetes për të eliminuar Koperin, Kaçi e konsideron të llogjikshëm një përfundim të till. Sipas tij, Vllaznia është më lart në të gjitha drejtimet se skuadra sllovene, ndaj edhe objektivi, për t’u kualifikuar, është mëse i realizueshëm. Megithatë, shtatshkurtëri shkodran, i vlerësuar me superlativa për ndeshjen e parë në Slloveni, tërheq vëmendjen edhe për kujdesin, që duhet treguar ndaj kundërshtarit, vlerat e të cilit qëndronin më tepër në lojën e shpejtë, e bazuar në një përgatitje shumë të mirë fizike. “Sidoqoftë, ashtu siç e thashë më lart, ne jemi skuadër më e mirë dhe, nëse do të zbatojmë me kujdes detyrat taktike të dhëna nga trajneri, ashtu si vepruam edhe në ndeshjen e parë, jam i bindur se do t’ia dalim me sukses kalimit të turit”, thekson Kaçi.

Loja, me theks sulmues

Për t’ia arritur qëllimit, Kaçi mendon se mënyra më e mirë është loja sulmuese, për ta goditur me një gol të shpejtë edhe në ndeshjen e dytë në Shkodër, duke e nxjerrë përfundimisht jashtë lufte skuadrën kundërshtare. Edhe pse akoma nuk është përcaktuar qartë rreshtimi taktik i skuadrës për këtë ndeshje, nga sa shikohet në përgatitjet e deritanishme, përpara sportdashësve shkodranë Vllaznia do të prezantohet me një lojë sulmuese, çka do të thotë se Kaçi pritet të jetë në vijën e parë, përkrah Xhevahir Sukajt. “Ajo është kompetencë e trajnerit dhe deri në ditën e ndeshjes ka kohë për të vendosur, por gjithsesi, sidoqë të jetë rreshtimi, Vllaznia ka për të dalë fituese, jo vetëm për të garantuar një kualifikim sa më të pastër, por edhe për të këaqur sa më shumë tifozërinë e zjarrtë shkodrane, e cila pritet të jetë e madhe në numër”, ka përfunduar për “Sport Ekspres” Albert Kaçi, shkodrani, që pasi shtegtoi në Elbasan dhe Zvicër, tashmë është rikthyer në skuadrën “mëmë”, duket për të mos i ndarë më fanellës kuqeblu.

 

Sport Ekspres

Komentet