Me fitoren 2-1 në transfertën kundër skuadrës sllovene Koper në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, Vllaznia regjistroi fitoren e parë nga 7 ndeshje të zhvilluara në këtë kompeticion evropian. Kjo falë dy golave të talentit Xhevair Sukaj, i cili vendosi edhe një rekord personal, duke u bërë i pari lojtar i Vllaznisë që realizon dy gola brenda një ndeshje ndërkombëtare dhe për më tepër në transfertë.

Sukaj është njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në Kupën UEFA, pasi skuadra shkodrane ka shënuar vetëm 3 gola. Autori i golit tjetër është Vioresin Sinani, i cili realizoi në ndeshjen Vllaznia-Spartak Trnava (Sllovaki) 1-1, e vlefshme pwr turin e parë të sezonit 1999-2000.

Dy gola kundër të njëjtit ekip ka realizuar edhe elbasanasi Klodian Duro, i cili shënoi në dy takimet kundër Rejkavikun, si në humbjen 2-1 në Islandë ashtu dhe në fitoren 1-0 në Shkodër, në ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kampioneve në sezonin 2001-2002.

Sulmuesi gjirokastrit Arlind Nora është një tjetër lojtar që ka shënuar dy gola kundër të njëjtit ekip, por në dy ndeshje. Nora shënoi në takimet kundër kroatëve të NK Zagreb: 2-1 në Kroaci dhe 1-0 në Shkodër.

Për të vazhduar me lojtarët që kanë luajtur për Vllaznisë, edhe Dorian Bylykbashi është autor i dy golave kundër qipriotëve të Nea Salaminës: 1 gol në humbjen 4-1 dhe 1 tjetër në humbjen 2-1 në Shkodër.

Dy gola kundër të njëjtit ekip i ka realizuar edhe Hamdi Salihi. Sulmuesi, aktualisht në forcë te SV Ried në Austri i ka shënuar kundër izraelitëve të Hapoel Beer-Shevës në Kupën Intertoto 2004 në humbjen 2-1 dhe në fitoren 0-1 në Izrael.

Gjithsesi, rekordin shqiptar për më shumë gola në një ndeshje e mban ish-futbollisti i Tiranës, Indrit Fortuzi, i cili realizoi 3 gola kundër Fandokut në fitoren 3-0 në Tiranë në ndeshjet e vlefshme për Kupën e Kupave në sezonin 1994-1995 (25 gusht 1994). Fortuzi i ka shënuar 3 gola në dy ndeshje kundër qipriotëve të Apolon Limasolit në Kupën UEFA 2001-2002.

Komentet