Vllaznia ka fituar në miqësoren e parë të sezonit, në kuadrin e përgatitjeve për turin e parë të Kupës UEFA. Kundërshtari i kuqebluve ka qenë Deçiçi i Tuzit. Në takimin e zhvilluar në Tuz të Malit të Zi, shkodranët kanë arritur të fitojnë minimalisht 1-0 me golin e shënuar nga Xhevahir Sukaj që në minutën e 15-të. Trajneri vlonjat i kuqebluve, Agim Canaj, ka aktivizuar të gjithë futbollistët që ka pasur në dispozicion. Shkodranët e kanë nisur me Bishanin në portë, i cili ka fituar, të paktën për momentin, konkurrencën me veteranin e rikthyer, Armir Grima. Në mbrojtje kanë qenë Smajli, Elvin Beqiri, Teli e Doçi, ndërsa në mesfushë emrat e njohur, të cilët mendohen se do të mbajnë edhe peshën e skuadrës: Osja në të djathtë, Nallbani e Belisha në qendër e Lika në të majtë. Në sulm, në mungesë të Vioresin Sinanit, ka luajtur dyshja e përbërë nga Kaçi e Sukaj. Gjatë pjesë së dytë, Canaj nuk ka lënë pa provuar edhe lojtarët e stolit, përfshirë Grimën, Licin dhe Kapajn. Ndërkohë, vëmendja e trajnerit është përqendruar tek elementët e ardhur rishtazi pranë skuadrës. Të dy lojtarët e sapoardhur, si sulmuesi çek e po ashtu edhe ai brazilian Kleber da Lima, kanë pasur mundësi të shihen nga drejtuesit teknikë të ekipit shkodran. Ajo që mësohet është se të dy lojtarëve u është dhënë e drejta për të qenë në fushën e lojës për një kohë të gjatë, por nuk duket se kanë bindur plotësisht drejtuesit, duke shtyrë në këtë mënyrë dhënien e një vendimi përfundimtar për ta. Ndërsa mbrojtësi që me shumë gjasa mund të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri, Marko Bashiç, nuk ka luajtur dje. Ai ka shkuar për të zgjidhur problemin e letrave me ish-ekipin e tij, për të qenë ndoshta shumë shpejt pjesë e kuqebluve. Vllaznia ka në program edhe një tjetër ndeshje kontrolli, në fundjavë, para kthimit në Shkodër.

Panorama Sport

Komentet