Kuqeblutë e Vllaznisë kanë zhvilluar dje pasdite seancën e parafundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërkohë që sot, Canaj ka planifikua edhe një tjetër paradite, në kompleksin sportive “Zmijani”, dhe më pas, në orën 11:00, autobusi me skuadrën do të marrë rrugën për në Nikshiq, aty ku do të qëndrohet deri përpara ndeshjes së parë të kupës UEFA. Se sa do të jetë afati i qëndrimit atje, varet kryesisht edhe nga mundësia që ofron shorti, i cili do të hidhet sot në Nyon të Zvicrës. Kështu, nëse ndeshja e parë do të luhet në Shkodër, pritet që koha e qëndrimit në Nikshiq të jetë disi më e gjatë, ndërsa, nëse sipas shortit ndeshja e parë do të luhet jashtë, atëherë kuptohet që edhe ardhja duhet të jetë më herët në Shkodër, për të qenë korrekt me udhëtimin e transfertës. E veçanta e këtij shorti për kampin kuqeblu qëndron këtë herë në faktin se në Zvicër nuk ka udhëtuar asnjë përfaqësues i stafit teknik, madje, edhe vetë presidenti Valter Fushaj ka preferuar të qëndrojë pranë skuadrës, duke vlerësuar më tepër organizimin e këtushëm. Ndërkohë, misioni u është ngarkuar zëvendëspresidentit Pjerin Fushaj dhe menaxherit Armando Lohja, të cilët kanë udhëtuar që dje në mesditë për në Zvicër, për të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së shortit të turit të parë të Kupës UEFA, si përfaqësues të Vllaznisë.

Grima e Lici, sërish “në forcë”

Ishte paralajmëruar pak ditë më parë një rikthim i dyshes së titullarëve Grima dhe Lici dhe. më në fund, dje ata janë zyrtarizuar si futbollistë të skuadrës shkodrane edhe për një vit. Një gjë e tillë u realizua pas disa takimeve mes futbollistëve dhe presidentit Fushaj, i cili, përkundër asaj që është diskutuar më parë, ka lënë gjithçka prapa. duke u hapur “derën” sërish të dyve për të kontribuar për skuadrën kuqeblu. Një fakt i tillë është vënë re dje, në seancën stërvitore, kur në grupin e futbollistëve, që ishin rreshtuar përpara teknikut Canaj, tërhiqnin vëmendjen edhe dy veteranët Lici e Grima. Ndërsa i pari do të jetë një alternativë serioze për stafin teknik në repartin e mbrojtjes dhe të mesfushës, ku ai vazhdimisht ka luajtur, i dyti duket se u jep fund kërkimeve për “gardianë” të tjerë, kur vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit në skuadrën kuqeblu janë testuar plotë katër portjerë të huaj, por që në fund rezultuan si të paaftë për t’iu përgjigjur kërkesave të Vllaznisë. Megjithatë, qëndrimi kaq gjatë larg skuadrës ka patur ndikimin e vet aspak pozitiv për të dy futbollistët, pasi gjatë gjithë kësaj kohe grupi i parë ka avancuar në përgatitje, aq sa dje teknku Cnaj ka qenë i detyruar ta bashkojë dyshen me dy të dëmtuarit Sinani e Cani, që janë po aq problematikë në gjendjen fizike. Kësisoj, që të katër janë parë të vrapojnë rreth fushë së bashku, ndërkohë që mësohet se dyshja Grima﷓Lici do të jetë me skuadrën në Nikshiq, atje ku mendohet se ata do të avancojnë në gjendjen fiaike dhe për të arritur pjesën tjetër të skuadrës.

Nesër vjen Leandro, mungon Delain

Drejtuesit e klubit kuqeblu kanë bërë të ditur se nesër, në Shkodër pritet të mbërrijë edhe braziliani Leandro Da Silva, madje, së bashku me të pritet të vijnë dhe dy brazilianë të tjerë. Të dhënat për njërin prej tyre, i cili thuhet se është sulmues i mirëfilltë, flasin se ai është lojtar i niveleve të larta. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë, kur të tre së bashku do të përcillen për në kampingun e Nikshiqit, atje ku edhe do t’u vihet nota e saktë nga tekniku Canaj. Ndërkohë, ka qenë afati i fundit për të mbërritur kongolezi me pasaportë gjermane, Sasha Delain. Vonesa nga data, që i kishin vënë drejtuesit e klubit për të ardhur, është shoqëruar me një gjobë financiare, e cila thuhet se është 10.800 Euro.

Sport Ekspres

Komentet