Kuqeblutë do të nisin sot javën e re stërvitore, e cila nga stafi teknik konsiderohet mjaft e rëndësishme për konsolidimin e skuadrës. Sipas informacioneve që vijnë nga brenda stafit, thuhet se, në dy-tri ditët e parë të kësaj jave, skuadra duhet të jetë krejt e kompletuar, për t’u nisur në qendrën ku do të zhvillohet përgatitja themelore për ndeshjet e Kupës UEFA. Synimi është që kjo bërthamë të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë edhe për kompeticionet e sezonit futbollistik të kategorisë superiore. Megjithëse në këtë drejtim janë bërë hapa përpara, duke siguruar firmosjen e kontratës prej disa futbollistëve titullarë, me një pjesë tjetër kjo nuk është arritur akoma. Njëri prej tyre është edhe shtatlarti i mbrojtjes kuqeblu, Admir Teli, i cili, me gjithë përpjekjet e bëra nga drejtuesit e klubit për të mbyllur punët me të si me kolegët e tjerë, nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë.

“I Vllaznisë, por...”

Në fakt, me kthimin e presidentit Fushaj në Shkodër, në fillimin e javës së kaluar, Teli ishte ndër të parët futbollistë titullarë që u thirrë për bisedime nga numri një i klubit. U duk se ai do të ishte i pari, që do t’i përgjigjej ftesës së presidentit të Vllaznisë për të hedhur firmën në kontratë, por nuk ka ndodhur krejt kështu. Ndërsa Teli takohej dhe ritakohej me drejtuesit e klubit, ishin të tjerë ata që firmosnin, ndërkohë që ai e shtynte nga dita në ditë. Me ndjesinë se mund ta kishte mbyllur një gjë të tillë dje, i kemi telefonuar pasdite për të mësuar diçka konkrete, por përgjigja ka qenë sërish negative. “Jo, akoma nuk kam firmosur”, është përgjigjur për “Sport Ekspres”, shtatlarti i mbrojtjes shkodrane. Më tej, Teli ka sqaruar diçka më tepër, kur thotë: “I Vllaznisë jam, por nuk e di si do të shkojnë punët në lidhje me disa oferta që kam nga jashtë vendit. Prandaj, në këto kushte, veprimi më i drejtë, që m’u duk se duhej bërë, ishte shtyrja e firmosjes së kontratës me Vllazninë, deri pas përfundimit të ndeshjeve të Kupës UEFA. Në bazë të kontratës aktuale, që kam me Vllazninë, më duhet të jem pjesë e saj në këtë kompeticion”. Sidoqoftë, për aq sa thotë vetë Teli, që përveç ofertave nga jashtë, jo pak interesim ka pasur edhe nga skuadra të kampionatit shqiptar, mes të cilave edhe Elbasani e Tirana, përgjithësisht ai e shikon veten shumë më pranë Vllaznisë, çka ia ka deklaruar edhe presidentit Fushaj. Në një farë mënyre, me këtë variant që ai ka zgjedhur, duket se ka kopjuar shokun e tij të ekipit, Xhevahir Sukaj, i cili për të njëjtat motive ka kërkuar që firmosjen e kontratës ta mbyllë pas ndeshjeve të UEFA-s.

Komentet