Sipas asaj, çka ishte informuar nga burimet brenda klubit kuqeblu, ishte parashikuar që dje duhet të mbërrinte në Shkodër kongolezi me pasaportë gjermane, Sasha Delain. I larguar paksa i lëkundur nga qyteti verior, në mbyllje të sezonit të kaluar futbollistik, për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Vllazninë, shtatlarti i mbrojtjes së skuadrës shkodrane, i cili mori vlerësimet maksimale për kontributin e dhënë në formacionin kuqeblu, javën e kaluar u tha se ka rigjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit dhe ardhja e tij në Shkodër ishte çështje ditësh. Madje, u caktuan edhe afate, sikurse ishte dita e djeshme, kur përfaqësuesit e klubit kishin bërë përgatitjet për pritjen dhe akomodimin jo vetëm të Delainit, meqenëse edhe informacionet ishin se do të vinte i shoqëruar me disa futbollistë, ndër të cilët njëri prej tyre portier. Por, ndërsa në Shkodër e pritnin, përfshirë edhe përfaqësues të mediave, për t’u takuar me Delainin dhe “çetën” e tij, aty nga orët e mbrëmjes, nga brenda klubit Vllaznia thanë për “Sport Ekspres” se, përmes një telefonate, kongolezi ka njoftuar se e ka shtyrë edhe për një javë mbërritjen në Shkodër. “Kam shtruar nënën në spital dhe më duhet të kujdesem për të, prandaj nuk mund të vij sonte, madje, do ta shtyjë udhëtimin tim për në Shqipëri deri në fundin e javës së ardhshme”, është mësuar t’u ketë thënë Delain përfaqësuesve të klubit Vllaznia. Natyrisht, lajmi nuk ka lënë fort shije të mirë në klubin kuqeblu, pasi me këtë rast, duke ditur një të kaluar jo shumë të largët me probleme në lidhje me korrektesën e të tilla lëvizjeve të Delain, në “skenë” del edhe ndonjë opinion mosbesues ndaj tij. Gjithsesi, një gjë të tillë drejtuesit e klubit nuk kanë dëshirë ta çojnë nëpër mend, kjo edhe për faktin se Sasha, vetëm pak ditë më parë, ka komunikuar në mënyrën më korrekte me ta dhe, në të njëjtën kohë, ka garantuar se, jo vetëm që do të vazhdojë bashkëpunimin me Vllazninë, por është interesuar edhe të sjellë futbollistë cilësorë në dispozicion të Vllaznisë. Në fakt, gjithçka është përfolur jo pak për Sashën, si për kohën kur ka qenë te Partizani në fillim, sidomos më pas te Flamurtari, te Vllaznia nuk është reflektuar fare. Gjatë sezonit të kaluar, Delain i ka qëndruar korrekt kontratës së lidhur me Vllazninë, jo vetëm në kohëzgjatje, por sidomos duke qenë një nga futbollistët më të dalluar të skuadrës. Sidoqoftë, edhe pse nuk kanë dëshirë ta shkojnë nëpër mend një “tradhëti” të kongolezit, dyshim që nxorri kryet kryesisht dje, shkodranët nuk duan t’u besojnë opinioneve të përhapura në publik, por kanë marrë të mirëqënë atë që ka deklaruar vetë futbllisti për sëmundjen e nënës së tij, madje, edhe i kanë uruar të shërohet sa më shpejt. Kështu, për të vërtetuar saktësisht atë që përflitet për Delain, për të cilin thuhet se është duke kërkuar mundësinë e kalimit në një skuadër tjetër, duhet pritur fundi i javës së ardhshme. Gjithsesi, është një pritje e detyruar, sepse sipas marrëveshjes paraprake me të, planet janë bërë me Sasha Delain si pjesë të skuadrës kuqeblu.

Sport Ekspres

Komentet